Shqipëria jep “provimin” para Bashkimit Europian më 12 mars
Hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në drejtim të përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit do të vlerësohen më 12 mars kur do të mbahet në Tiranë takimi i Komitetit të Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Ky komitet do të drejtohet nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pier Mirel, i cili do të vlerësojë përmbushjen e detyrimeve nga ana e qeverisë shqiptare në çdo fushë, duke u ndalur në veçanti në përmbushjen e një prej kritereve parësore, që është kriteri politik.
Kriteri
Ky kriter parashikon që vendi të ketë stabilitet politik dhe që institucionet shtetërore të funksionojnë sipas rregullave të demokracisë dhe reformat të ndërmerren me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Por që pas zgjedhjeve të 28 qershorit situata politike në Shqipëri ka qenë tejet e tensionuar, duke mos përmbushur pikërisht një prej kritereve më të rëndësishme, atë politik. Komiteti i Stabilizim-Asocimit është një strukturë mes BE-së dhe Shqipërisë që mblidhet vetëm një herë në vit për të shqyrtuar ecurinë e procesit integrues të një vendi. Ky komitet mblidhet për të vlerësuar situatën në vend dhe për të hartuar më pas një raport përsa i përket kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Në rast se vlerësimi në këtë mbledhje i hapave që ka ndërmarrë Shqipëria që pas zgjedhjeve të qershorit nuk do të jetë pozitiv, atëherë vendi ynë duhet të presë vitin e ardhshëm për një tjetër vlerësim përsa i përket statusit të vendit kandidat dhe hapave të tjerë drejt integrimit në BE.
Takimi
Mësohet se Bashkimi Europian nuk e ka bërë ende të ditur delegacionin e plotë që do të dërgojë në Tiranë më 12 mars, përkatësisht të premten e ardhshme, ku zhvillohet mbledhja e Komitetit të Stabilizim-Asocimit të BE-së dhe Shqipërisë.
Burime nga Ministria e Integrimit kanë bërë të ditur se javën e ardhshme do të përcaktohet delegacioni që do të jetë prezent, por, siç mësohet, do të drejtohet nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pier Mirel.
Ky takim do të shqyrtojë hapat që ka marrë Shqipëria në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, që shkurtimisht do të thotë kushtet që Tirana zyrtare ka përmbushur pas “detyrave të shtëpisë” të lëna nga Brukseli.
Edhe pse në dukje një takim teknik, pritet që të jepet një sinjal i qartë për qëndrimin që do të mbajë Komiteti i Stabilizim-Asocimit, i cili do të mblidhet më 11 maj në Bruksel. Përveç Pier Mirel, në takimin e së premtes do të jetë prezent edhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, si dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, që të dy negociatorë në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Kushtet
Plotësimi i kriterit politik që përfshin stabilitetin politik, respektimin e pavarësisë së pushteteve, garantimin e zgjedhjeve të lira etj.
Funksionimi i ekonomisë së tregut.
Zgjidhja e çështjeve që lidhen me pronësisë.
Funksionimi i administratës doganore. Në disa raste do të shihet se si administrata doganore i vë në zbatim këto rregulla që kanë të bëjnë me vlerësimin doganor. Do të shihet TVSH-ja, nëse ajo aplikohet në kohën e duhur.
Qeveria do të raportojë edhe për çështje të tjera, si p.sh., ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm etj.
Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për Ballkanin Perëndimor
Ministrat e Jashtëm të BE-së janë mbledhur dje në një takim informal në Cordoba të Spanjës për të diskutuar, midis të tjerave, edhe për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rezultatet e këtij takimi pritet të bëhen me dije gjatë ditës së sotme në një konferencë për shtyp, ndërsa në axhendën e punimeve parashikohet diskutimi në këtë mbledhje të nismës së prezantuar nga Italia për të organizuar një samit të përvitshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor përsa i përket ecurisë së proceseve integruese. Në takimin e ministrave do të diskutohen çështje që lidhen me politikën e jashtme dhe hapat e marrë nga BE-ja në përmbushje të Strategjisë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tregtar me shtetet jo-anëtare të BE-së.
Komisioneri për Zgjerimin, Fule, do të vizitojë Tiranën më 19 mars
Komisioneri europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Stefan Fule, do të vizitojë Tiranën më 19 mars, vetëm një ditë pas shqyrtimit në Kuvend të kushtit të PS-së për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të qershorit. Fule ka programuar në axhendën e tij gjatë qëndrimit në Tiranë takime me krerët më të lartë të vendit. Ai do të bashkëbisedojë posaçërisht me presidentin Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Maxhoranca, nga ana e saj, mësohet se ka tentuar të ftojë zotin Fule në një seancë të posaçme parlamentare për të bërë përshëndetjen para deputetëve. Mesazhi që pritet të lëshojë ai ndaj klasës politike është vendimtar për çështjet integruese.
Ekspertë të NATO-s në Tiranë, për hartimin e strategjisë së Aleancës
Një grup ekspertësh të NATO-s, që po punojnë për hartimin e konceptit të ri strategjik të Aleancës, do të vizitojnë Tiranën në datat 11-12 mars, në kuadër të angazhimit të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës. Vizita e Delegacionit të NATO-s është bërë e ditur nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi. Mjedisi i ri strategjik global dhe politikat e reja sa i takon mbrojtjes dhe sigurisë e kanë nxitur NATO-n për hartimin e një koncepti të ri strategjik, pjesë e të cilit do të jetë dhe Shqipëria.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, për këtë qëllim ka ngritur një grup pune i përbërë nga ambasadorë të Aleancës dhe ekspertë të saj, nën drejtimin e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, i cili po punon për këtë doktrinë të re, ku do të përcaktohen politikat e organizatës më të madhe ushtarake dhe format e partneritetit në të ardhmen, në fokusin e zhvillimeve të reja globale. Ky ekip do të njihet me qëndrimin e konsoliduar të institucioneve shqiptare; qeverisë, Parlamentit dhe Këshillit Kombëtar të Sigurisë për këtë doktrinë të re.
8 Mars 2010