E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takon eurodeputetin Thaler, vlerësohet zbatimi i Rezolutës së KiE-së



“Parlamenti europian dhe raportet ndërkombëtare vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe jemi shumë të kënaqur për hapat që po bëni”, - tha dje eurodeputeti Zoran Thaler, anëtar i grupit socialist në Parlamentin Europian, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Eurodeputeti Thaler më tej vlerësoi ecurinë e proceseve integruese në Shqipëri. “Jemi shumë të kënaqur që Rezoluta e Parlamentit Europian dhe raportet ndërkombëtare janë axhendë e punës suaj dhe udhërrëfyes të reformave që po vijoni”,- theksoi ai.
Zoti Thaler shprehu interesin për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Parlamentit Europian dhe Parlamentit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit tha se mbështetja që Parlamenti Europian i jep Shqipërisë mbetet thelbësore në përshpejtimin e proceseve integruese. “Jemi shumë të vendosur për objektivin tonë të afërt, heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Parlamenti shqiptar, si organ ligjvënës, është themelor dhe lokomotivë për liberalizimin e vizave, që është edhe synimi ynë kryesor”, - tha kryetarja e Kuvendit. Ajo theksoi se “Parlamenti është i vendosur për të vijuar përpara, pavarësisht përpjekjeve për të penguar liberalizimin e vizave nga ndonjë individ”.

Këshilli Kombëtar i PD-së nuk do të mblidhet as gjatë marsit

Ngërçi politik në vend ka bërë që Partia Demokratike të shtyjë mbledhjen e Këshillit të Kombëtar, për të cilën kryeministri Berisha deklaroi se do të zhvillohej në mesin e muajit shkurt. Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se situata aktuale politike në vend, e njëkohësisht edhe angazhimi i maxhorancës në proceset integruese, siç është përgatitja e përgjigjeve të Pyetësorit dhe plotësimi i kushteve për liberalizmin e vizave, pritet që mbledhja Këshillit Kombëtar të mos zhvillohet as në muajin mars. Sipas Statutit të Partisë Demokratike, Këshilli Kombëtar thirret nga kryetari i partisë, në këtë rast kryeministri Sali Berisha, ose nga 1/3 e këtij organizmi. Po sipas dokumentit themeltar të selisë blu, nuk është përcaktuar një afat për mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por rregulli e kërkon që ky organizëm të mblidhet të paktën 2 herë në vit. Me mbarimin e mandatit katërvjeçar, Këshilli Kombëtar i PD-së duhet të mblidhet për të zgjedhur me votim të fshehtë sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, sekretarët funksionalë, kryetarin e Bordit Financiar të partisë dhe Komisionin Qendror të Apelimit.

Xhixho: “Reforma në arsimin e lartë do të sjellë një përmirësim të të gjithë sistemit”

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, u shpreh dje se reforma në arsimin e lartë do të sjellë një përmirësim të të gjithë sistemit. Sipas saj, kanë të bëjnë me një përcaktim më të plotë për standardizimin e sistemit të Bolonjës në sistemin tonë të arsimit të lartë. “Këto masa do të bëjnë të mundur që të kemi tashmë një ndarje më të saktë të niveleve të kualifikimit të studenteve, duke u dhënë atyre mundësinë që të kenë të përcaktuar qartë nivelet e tyre të kualifikimit, duke mënjanuar në këtë mënyrë paqartësitë që shfaqeshin deri tani në aplikimin e sistemit të Bolonjës”, - u shpreh Xhixho.
Ajo theksoi se Lëvizja Rinore për Integrim shpreh mbështetjen për këto përmirësime që pritet të bëhen në sistemin e Kartës së Bolonjës.

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›