Prifti: “Asetet shtetërore i janë nënshtruar procesit të privatizimit”
Qeveria ka zgjedhur të privatizojë pronat shtetërore për të kursyer shpenzimet e buxhetit. Lajmin e ka bërë të ditur dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili deklaroi se çdo pronë shtetërore do t’i nënshtrohet privatizimit, me përjashtim të tri hidrocentraleve të mëdha mbi kaskadën e Drinit, si dhe objektet që shërbejnë në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit. Ai sqaroi se çdo gjë tjetër që është pronë e shtetit, ndërmarrje shtetërore apo asete dhe prona të vihen në proces privatizimi që shteti dhe qeveria të kursejë më shumë nga shpenzimet e veta.
Deklarata
Me privatizimin e aseteve shtetërore qeveria ka për qëllim që në të hyrat e buxhetit të shtetit të futen 100 milionë euro sipas parashikimit që ajo ka bërë. Ndërkohë, ministri Prifti u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të përfshihen në procesin e privatizimit të aseteve shtetërore. “Nga ky proces pritet që mbi 100 milionë euro të futen në buxhetin e shtetit, ndërsa përfitime të tjera llogariten edhe nga ulja e shpenzimeve, por ne jemi të interesuar që në këtë proces privatizimi të përfshihen investitorët shqiptarë", - deklaroi ministri Prifti, duke shtuar se “unë do t’u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë dëshirë të përfshihen në blerjen e këtyre pasurive. Mbi të gjitha ne do të na interesonte t’i blinin shqiptarët, biznesi shqiptar, investitorët shqiptarë. Pronarët kanë të drejtën e parablerjes kur një pronë shtetërore ka qenë pronë e tyre ose toka ka qenë pronë e tyre. Atëherë ata kanë të drejtën e parablerjes, dhe në këtë rast nuk ka konkurrim”.
Privatizimi
Ministri Prifti bëri të ditur se është ngritur një grup i posaçëm pune nën drejtimin e kryeministrit për të mbledhur informacion për të gjitha asetet që ministritë e linjës mendojnë se duhen futur në proces privatizimi. Ai tha se për hartimin e një liste me ndërmarrjet, objektet shtetërore, apo edhe me kapital shtetëror që do të evidentohen për të kaluar në proces privatizimi, janë angazhuar mbi 100 nëpunës të administratës.
Ndërkaq, Prifti deklaroi se në procesin e privatizimit do të përfshihet pjesa e mbetur e kompanisë “ARMO”, Albtelekomi, ndërsa më vonë kësaj procedure do t’u nënshtrohen hidrocentralet e vogla. Ministri informoi se ka filluar procesi i privatizimit të aksioneve të shtetit në Albtelekom dhe ARMO, përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar për privatizimin e Albpetrol-it, ndërsa është ngritur grup ndërministror pune për privatizimin e INSIG-ut. Sipas tij, janë mbi 200 fabrika, ndërmarrje apo uzina që dikur kanë qenë pronë shtetërore aktive, tashmë në proces likuidimi apo të dhëna me qira, të cilat do të futen në proces privatizimi. Sakaq, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një listë me 450 reparte ushtarake, të cilat do të futen në procesin e vlerësimit dhe pastaj privatizimit të plotë. I gjithë procesi i vlerësimit të pronave do të bëhet nga Ministria e Ekonomisë, ndërkohë ankandet e shitjeve do të realizohen nga Ministria e Financave.
Baraj: “Berisha t’u vijë në ndihmë banorëve të dëmtuar nga rrëshqitjet e tokës”
Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin për rrëshqitjet e tokës në disa qytete të vendit, pasi sipas saj, qeveria nuk ka bërë asnjë analizë për këtë situatë. Deputeti Besnik Baraj deklaroi dje se janë bllokuar rrugët nga rrëshqitjet që nga Tropoja në Rradhimë e Kakome, nga Çorovoda në Shkodër, nga Librazhdi në Currila të Durrësit, nga Puka në Korçë, nga Mirdita në Pogradec, nga Kavaja në Sarandë. Ai tha se së fundi po rrëshqet e po shkatërrohet dhe Apolonia e lashtë, që qëndroi aty pa rrëshqitur për mëse 2000 vjet. “Vetëm javën e shkuar u raportuan 20 rrugë të bllokuara nga rrëshqitjet. Por, ndërsa rrugët vjen një ditë që rihapen e rindërtohen, shtëpitë e pronat e dëmtuara nga rrëshqitjet e shumta në zonat rurale i pret rrënimi i plotë. Toka rrëshqet, e merr lumi dhe shkon në det, ajo nuk rikthehet dot më. Ne nuk besojmë se qeveria do të thotë se reshjet e sivjetme janë më të mëdhatë në 2000 vjetët e fundit, siç tha në 2007-n, se thatësira e atij viti nuk kishte ndodhur vetëm 1500 vjet më parë”, - tha Baraj. Deputeti Baraj i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që t’i ndihmojë qytetarët, pasi e ka për detyrë ai dhe qeveria e tij t’u vijë në ndihmë. “Investimet antierrozion janë të papërfillshme dhe krejt të padukshme. Sali Berisha, me megalomani flet për 20 milionë rrënjë ullinj që do të mbjellë. Këto janë vetëm gënjeshtrat e këtij njeriu, të ngjashme me Shqipërinë e internetit, apo Shqipërinë superfuqi energjetike”, - u shpreh Baraj, duke i bërë thirrje kryeministrit: “Zoti Berisha, përpara se të bësh këto mbjellje, përpara se të bësh reaktor atomik, përpara se të mburresh se jemi vendi i vetëm në botë që përballon krizën, ndalo dëmtimin masiv të pyjeve, shkatërrimin e shtretërve të lumenjve, erozionin e frikshëm, përmbytjet si në Shkodër për shkakun tuaj, por edhe në zona të tjera për shkak të shkatërrimit të sistemeve të drenazhimit!”.
8 Mars 2010