E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Jo reformë sipas masës së partive

• Forcat politike duhet të mbyllin debatin për reformën zgjedhore dhe ta miratojnë atë në Parlament.ADI SHKEMBIPresidenti Bamir Topi, është përfshirë së fundi në diskutimet për reformën elektorale një vit para zgjedhjeve të përgjithshme. Gjatë një vizite në Komunën e Dajtit, kreu i shtetit është shprehur se debati është pozitiv në miratimin e reformave, por shtoi se edhe ai e ka një fund, duke u kërkuar forcave politike të gjejnë konsensusin dhe të kalojnë draftin në Parlament. Njëkohësisht sipas kreut të shtetit, reforma zgjedhore duhet miratuar sa më shpejt edhe për faktin e vendi ndodhet para Samitit të Bukureshtit, ku do të përcaktohet nëse Shqipëria do të marrë ftesën për në NATO. "Gjithmonë do të ketë debat, debati është i mirëpritur, por problemi është që debati ta ketë një fund, sepse në çdo lloj debati, sidomos të kësaj natyre ka një proces të natyrshëm, ka edhe një produkt dhe produkti duhet të vijë sa më shpejt për dy arsye. Së pari, kemi premtuar të gjithë që do të jemi gati edhe në funksion të ftesës për anëtarësimin në NATO. Ky është një nga detyrimet. Njëri u realizua me pjesëmarrjen e të gjitha formacioneve politike dhe e dyta besoj që do të vijë", theksoi presidenti Topi. Sipas kreut të shtetit Ligji Elektoral, në ndryshim nga vitet e kaluara duhet miratuar në kohë dhe për t'i krijuar të gjitha mundësitë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Presidenti theksoi se Ligji Elektoral nuk duhet miratuar edhe këtë radhë në minutat e fundit, pasi mund të cenohen standardet zgjedhore. "Unë besoj që partitë politike do ta gjejnë gjuhën e tyre, nuk besoj që klima përjashtuese, apo hedhja në treg e përmasave të partive do të zgjidhë problemin. Unë mendoj që të gjitha partitë duhet të dëgjohen dhe pastaj, tek e fundit, duhet të pranohet edhe vullneti i përgjithshëm", theksoi më tej kreu i shtetit. I pyetur se a konsiderohet një fund i mirë nëse dy partitë e mëdha e miratojnë pa konsensusin e partive të vogla reformën zgjedhore në vend, kreu i shtetit theksoi se "Natyrisht që kurrsesi nuk mund të jap një përgjigje pozitive, sepse është e rëndësishme të merren në konsideratë jo thjesht partitë politike parlamentare të momentit, por të merret edhe mendimi i partive të tjera, që nuk janë në Parlament, sepse zgjedhjet politike të vitit 2009 do të përfshijnë shumë parti". Sipas Topit "unë besoj që edhe me ndihmën e institucioneve që monitorojnë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm, jo imponues, partitë do ta gjejnë gjuhën e tyre, sepse fryma e imponimit asnjëherë nuk shkon". Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ka ngecur pasi partitë e vogla janë pozicionuar kundër Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me sistemin që do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Dy forcat e mëdha politike janë shprehur pro sistemit proporcional rajonal, gjë që është kundërshtuar ashpër nga partitë e tjera parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›