E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fasadat e Kuvendit, debat Topalli-Rama

 

BLEDAR HOTI

Fasadat e godinës së kryesisë së Kuvendit sjellin përplasje ndërmjet kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe kreun e bashkisë, Edi Rama. Fasadat dhe lyerja e godinave qendrore është kthyer sërish pjesë e debateve ndërmjet demokratëve dhe socialistëve. Puna e nisur prej muajsh nga Kuvendi për rikonstruksionin e godinës nga pjesa e jashtme dhe nga dyert dhe dritaret u bllokua përkohësisht, për shkak se Policia Bashkiake ka pasur pretendime, në lidhje me ngjyrat e fasadës, duke ndryshuar pamjen e mëparshme të godinës që dikur njihej edhe si Komiteti Qendror i PPSH-së. Punonjës të Policisë Bashkiake disa ditë më parë ka qenë në ambientet e godinës së Parlamentit, duke u interesuar në lidhje me punimet që po kryhen në pjesën e jashtme të godinës, nëse është marrë leje për një çështje të tillë, duke u interesuar edhe për firmën që po kryen punimet. Pas konstatimeve të kryera mësohet se nga ana e bashkisë së kryeqytetit ka pasur pretendime në lidhje me ngjyrën e bojës, që po i jepet mureve të Parlamentit. Kryebashkiaku Rama ka kontestuar ngjyrat që po përdoren për lyerjen e fasadës, pasi pjesa rozë e fasadës po lyhej me ngjyrë të verdhë dhe po ndryshohej pamje që ishte miratuar kohë më parë. Përplasjet për bojën e fasadës kanë vazhduar për disa ditë ndërmjet dy institucioneve, çka ka bllokuar vazhdimin e mëtejshëm të punimeve. Ndërsa mësohet se pas disa takimeve, firma zbatuese e punimeve është urdhëruar që të ndryshojnë ngjyrën e bojës nga e verdhë në rozë, duke iu përshtatur me pjesën përpara godinës që ndodhet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Që nga dita e djeshme firma zbatuese ka nisur të ndryshojë fasadat, duke mos ia ndryshuar ngjyrën e godinës, duke e lënë ashtu siç ka qenë më përpara. Pjesa e brendshme e godinës ka ndryshuar plotësisht. Aktualisht  ajo ka ngjyrë kremi. Ndërsa pjesa prapa, nga dera ky futen përditë deputetët e ministrat nuk ka ndryshuar. Pikërisht për këtë pjesë ka nisur edhe debati mes bashkisë dhe Kuvendit për ndryshimin e pamjes. Punimet për rikonstruksionin e godinës të kryesisë së Kuvendit kanë nisur që në muajin dhjetor të vitit 2008. Me mbylljen e sesionit të vjeshtës, puna nis me ndërrimin e dritareve në të gjitha katet e kryesisë së Kuvendit, duke i hequr ato korniza që qëndronin prej më shumë se 50 vitesh në këtë godinë. Gjithashtu, janë ndërruar edhe vetratat e dritareve. Prej mesë dy muajsh pas përfundimit të punimeve të brendshme, nisën njëkohësisht edhe ato për ndryshimin e pamjes së fasadës të godinës së Kryesisë së Kuvendit. Me largimin e Ministrisë së Integrimit nga godina e Kryesisë, një pjesë e mirë e zyrave është kaluar nën administrimin e Kuvendit. Sipas burimeve, pjesa më e madhe është duke u përdorur për zyrat e administratës, ndërsa parashikohet që të ngrihen edhe zyrat për deputetët. Sipas burimeve, parashikohet që zyrat e të zgjedhurve nga populli të ngrihen në Tiranë, për shkak se nuk do të ketë deputetë zonalë, por janë mbi bazën e qarqeve. Fillimisht, është parashikuar që zyrat të ngrihen mbi bazën e qarqeve, duke ndarë në bazë të numrit të deputetëve të pozitës dhe opozitës. Gjatë miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2009, administrata e Kuvendit, nëpërmjet sekretariatit për buxhetin paraqiti në komisionin parlamentar të Ekonomisë një propozim konkret për realizimin e këtyre investimeve. Kjo u pranua dhe nga vetë deputetët, duke bërë që në arkën e Kuvendit të shtohen edhe fonde më tepër për zërin investime, ku nuk përjashtohen edhe blerja e makinave për deputetët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›