E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Po vërtetohen manipulimet, do të vijojmë bojkotin”



Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka reaguar pas publikimit të fakteve që vërtetonin manipulimin e votave në emisionin televiziv “Faktor plus”. Klosi tha se gjithnjë e më tepër po dalin në pah denoncimet e bëra në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Partisë Socialiste. Deputeti socialist tha se Partia Socialiste do të vijojë të bojkotojë Kuvendin deri në momentin e hapjes së kutive të votimit. “Partia Socialiste e Shqipërisë është mëse e vendosur në marrëdhënien e saj të kushtëzuar me Parlamentin për aq kohë sa maxhoranca nuk na siguron të drejtën tonë legjitime për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit. Edhe pse kanë kaluar javë nga parashtrimi i kërkesave tona, kryeministri vazhdon të heshtë. Sot kërkesa jonë për zbardhjen e së vërtetës që mbahet mbyllur në kutitë e votimit, është e qartë për të gjithë shqiptarët. Ajo është një kërkesë e drejtë, kushtetuese, në mbështetje të ligjit, që kërkon të mbyllë përfundimisht kalvarin e zgjedhjeve të manipuluara në vendin tonë. Shkalla e manipulimit të zgjedhjeve po faktohet dita-ditës jo vetëm nga opozita, por edhe nga investigimi i pavarur i medias. Hetimi që ne kërkojmë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit është vendosmëria jonë që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje të standardeve të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, të jenë të lira dhe të ndershme, ku ligji të mbizotërojë mbi pushtetin dhe askush të mos guxojë të dalë mbi të”, - tha Klosi. Sekretari Organizativ i PS-së foli gjithashtu edhe për procesin zgjedhor për kreun e Partisë Socialiste. Klosi deklaroi se këto zgjedhje konfirmuan qëndrimin e PS-së për të pasur raporte të kushtëzuara me Kuvendin. “Zgjedhjet e ditës së shtunë nuk zgjodhën vetëm kryetarin e Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme, por në të njëjtën kohë konfirmuan në mënyrë plebishitare qëndrimin e socialistëve dhe socialisteve në mbështetje të marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin për aq kohë sa nuk zbardhet e vërteta e 28 qershorit”, - u shpreh ai.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›