E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK-ja paraqet padi penale në Prokurori për vjedhjen e votës



Partia Demokristiane ka denoncuar dje vjedhjen masive të votave në qarkun e Shkodrës. Të vendosur për t’i shkuar deri në fund zbardhjes dhe transparencës së numërimit të votave, grupi i ekspertëve pranë Partisë Demokristiane, pasi tërhoqi në mënyrë zyrtare nga KQZ-ja procesverbalet përkatëse dhe pamjet filmike të KZAZ-ve 40, 41, 42, 43 dhe 44, ka gjetur fakte tronditëse të manipulimit të procesit zgjedhor në këto zona. Ata bëjnë të ditur në një deklaratë për shtyp se pas numërimit të KZAZ-së Nr. 40 në QV Nr. 255, nga procesverbali rezulton se PD-ja ka marrë 327 vota, ndërkohë që nga rinumërimi i bërë rezulton se ajo ka marrë në të vërtetë vetëm 273 vota, pra komisionerët e saj i kanë shtuar plot 54 vota. “Në po këtë KZAZ, në QV Nr. 244, PDK-ja rezulton që në procesverbal të ketë 45 vota, ndërkohë që nga rinumërimi del se ajo ka plot 92 të tilla dhe diferenca negative në këtë rast është 47 vota të hequra nga PDK-ja. Në KZAZ Nr. 40, në Qendrën e Votimit Nr. 294, në procesverbalin e dorëzuar në KQZ ka 246 vota për Partinë Demokratike, ndërkohë që nga rinumërimi del se në të vërtetë ka vetëm 196 të tilla, duke i shtuar 50 vota. Në KZAZ Nr. 42, QV Nr. 185, PDK-ja ka të regjistruar në procesverbal vetëm 48 vota, ndërkohë që nga rinumërimi rezulton se ajo ka fituar 72 vota, pra PDK-së në këtë kuti votimi i janë hequr plot 24 vota”, - shkruhet në deklaratën e PDK-së, e cila paraqet fakte për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet të cilave PD-ja i ka shtuar vetes vetëm në qarkun e Shkodrës mbi 7000 vota, ndërkohë që PDK-së i janë hequr mbi 3000 vota. “Faktet e mësipërme tregojnë qartë se nëpërmjet manipulimit, Partisë Demokristiane dhe Polit të Lirisë iu është hequr një mandat deputeti”, - shkruhet në deklaratë. Partia Demokristiane më tej i ka bërë thirrje Ilir Metës, me të cilin zhvilloi grevën e urisë kundër Kodit Zgjedhor, që të mbështesë hetimin dhe realizimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve. “PDK-ja do t’i dërgojë Prokurorisë të gjitha provat dhe materialet që disponon, duke ngritur një padi penale kundër të gjithë atyre që guxuan të fusin duart në kutitë e votimit, duke deformuar votën e lirë dhe vullnetin e popullit. Gjithashtu, PDK-ja do të informojë për të gjitha parregullsitë e gjetura OSBE-ODIHR-in, të gjitha ambasadat europiane dhe Ambasadën e SHBA-ve”, - përfundon deklarata e PDK-së.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›