E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon Pacollin: “Është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit të Kosovës me SHBA-të dhe BE-në”



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me Behxhet Pacolli, kryetar i Partisë Aleanca për Kosovën e Re, takim i cili u përqendrua në shkëmbimin e mendimeve lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe lobingun për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Gjatë bisedës të dy politikanët shkëmbyen informacione rreth takimeve përsa i përket punës së bërë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Meta e informoi Pacollin për takimet e zhvilluara në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në funksion të shtimit të numrit të vendeve që njohin shtetin e ri të Kosovës. “Rikonfirmoj rëndësinë e madhe që ka forcimi i bashkëpunimit të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe të politikës në Kosovë me BE-në dhe SHBA-të, me qëllim që krahas kësaj përpjekjeje të jashtëzakonshme që po bëhet për forcimin e institucioneve të reja demokratike të këtij shteti të ri, njëkohësisht dhe paralelisht po punohet edhe për përqasjen sa më të shpejtë drejt standardeve europiane të të gjitha këtyre institucioneve të reja. Kosova është një rast unik, ku është krijuar një shtet i ri, i cili njëkohësisht po përgatitet edhe për t’u integruar në BE”, - është shprehur Meta. Ministri i Jashtëm Meta, gjatë fjalës së tij, vlerësoi rolin e misionit të EULEX-it në Kosovë. “Në këtë drejtim, ne vlerësojmë shumë rëndësinë që ka misioni i EULEX-it dhe funksionalizimi i tij në respekt të Kushtetutës së Kosovës dhe në zbatim të Planit të Ahtisarit, sepse besojmë që përmes funksionimit të tij, EULEX-i do të ndihmojë edhe në përafrimin e standardeve europiane përsa u takon institucioneve të reja të Kosovës dhe në veçanti, në drejtim të funksionimit të një shteti ligjor, sikurse janë të gjitha vendet e tjera europiane”, - është shprehur ministri i Jashtëm. Duke shprehur optimizmin e tij për procesin e pandalshëm të zhvillimeve në Kosovë dhe njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të saj, Meta konfirmoi angazhimin për të koordinuar hapat me institucionet e Kosovës dhe faktorë të tjerë relevantë për vazhdimin e lobingut. Po ashtu, shprehu bindjen se pavarësia e Kosovës është pakthyeshme, i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin tonë, dhe se Kosova ecën e sigurt përpara drejt konsolidimit të shtetit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në strukturat europiane e euroatlantike.
Pacolli, nga ana e tij, falënderoi edhe një herë zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Meta, për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për Kosovën në konsolidimin e shtetit të pavarur e sovran, si dhe të njohjes së saj ndërkombëtare.
“Unë e konsideroj punën e z. Meta si madhështore, kryesisht me vizitën e tij në Kombet e Bashkuara me diplomacinë ndërkombëtare që shkon drejtpërsëdrejti në interes të njohjeve të reja për Kosovën. E di se 80 për qind e punës së kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka qenë e koncentruar ekskluzivisht për Kosovën për njohjet e reja për Kosovën. Ne duhet të punojmë më shumë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe me institucionet shqiptare, të gjejmë mënyrën më të lehtë për të pasur njohje edhe më të mëdha, pasi duhet ta shohim Kosovën shumë shpejt të radhitur me kombet e gjithë botës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, - deklaroi Pacolli.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›