E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët, komisioni hetimor, rruga e vetme për të vërtetuar shkeljet në zgjedhje



Eljona Ballhysa
Ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar për të bërë publik, por edhe për të startuar një hetim për procesin zgjedhor, duket se është e vetmja rrugë ligjore që mund të ndjekin socialistët. Burime nga Partia Socialiste, të specializuar për çështjet ligjore, bëjnë të ditur se legjislacioni nuk i jep asnjë mundësi tjetër ankimi apo padie për të verifikuar apo vërtetuar parregullsitë gjatë procesit zgjedhor, që mund të kenë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Sipas tyre, vetëm ngritja e komisionit parlamentar hetimor në të cilin do të paraqiten fakte dhe prova dhe në rast se miratohet raporti përfundimtar i këtij komisioni, atëherë hapet rruga për një hetim serioz dhe profesional të zgjedhjeve.
Legjislacioni
Sipas ekspertëve ligjorë, institucioni i fundit që vendos në mënyrë të prerë për zgjedhjet është pikërisht Kolegji Zgjedhor. Partia Socialiste nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ngrejë padi kundër vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, apo kundër këtij institucioni në tërësi. Nga ana tjetër, vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe ndaj tyre nuk mund të bëhet ankimim në ndonjë gjykatë tjetër. Madje, as Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të merret me gjykimin e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Kodi i ri Zgjedhor, i hartuar nga bashkëpunimi midis demokratëve dhe socialistëve, ka parashikuar që institucioni ku merr fund ankimimi për çdo vendim të KQZ-së apo dyshim për manipulim është pikërisht Kolegji Zgjedhor. Sipas ekspertëve, nuk mundet që Partia Socialiste të paraqesë kërkesë për shqyrtimin e vlefshmërisë së vendimeve të Kolegjit Zgjedhor në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, ekspertët pohojnë se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor në bazë të të cilit Presidenti i Republikës të mund të kërkojë hetimin e mënyrës së marrjes së vendimeve nga Kolegji Zgjedhor duke ditur se maxhoranca ka shumicën e anëtarëve në këtë institucion. Pra, Partia Socialiste ndodhet përballë një vakuumi ligjor, të cilin nuk e kishte parashikuar në periudhën kur bashkë me PD-në, hartoi dhe miratoi Kodin e ri Zgjedhor. Ndaj, e vetmja rrugë ligjore për ta është pikërisht kërkesa e vazhdueshme për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Ata kërkojnë hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e disa qendrave ku kanë dyshime për manipulim.
Këtë kërkesë socialistët e paraqitën në KQZ, e cila e rrëzoi me shumicë votash pa marrë parasysh të drejtën për rinumërim që ka një subjekt zgjedhor nëse kjo kërkohet nga dy anëtarë të KQZ-së. Por, PS-ja ka paraqitur ankimim në Kolegjin Zgjedhor për vendimin e KQZ-së. Por edhe ky institucion la në fuqi vendimin e KQZ-së, duke refuzuar hapjen e kutive të votimit. Në fund të muajit korrik dy anëtarë të Kolegjit Zgjedhor kanë dëshmuar në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë se kanë pasur presione dhe kërcënime nga njerëz të lidhur me qeverinë për vendimet e marra. Një nga gjyqtarët e Kolegjit ka pohuar në dëshminë e dhënë në Ambasadë se pas presioneve verbale pranë derës së shtëpisë i ndalonin shpeshherë automjete, brenda të cilave qëndronin persona të panjohur. Madje, persona të ndryshëm janë ofruar të japin shuma parash në këmbim të blerjes së vendimeve. Dy gjyqtarët kanë dëshmuar se refuzimi nga ana e tyre i “sekserëve” që ofruan paratë është pasuar nga presione të drejtpërdrejta në drejtim të tyre në disa raste të përsëritura. Pikërisht edhe këto dëshmi provojnë dyshimin e socialistëve jo vetëm për shkelje të konstatuara në zgjedhjeve, por edhe për vendime ligjore të marra në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Gjiknuri: Padi penale për të gjithë komisionerët që kanë cenuar procesin

Partia Socialiste do të depozitojë padi penale në organin e Prokurorisë për të gjithë ata komisionerë, të cilët janë bërë pjesë e mekanizmave manipuluese të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nisur nga provat e manipulimeve, të cilat janë bërë publike në emisionin “Faktori plus” në Vizion Plus, socialistët janë të gatshëm të depozitojnë kallëzime penale për të gjithë ata komisionerë që kanë manipuluar votat gjatë procesit të numërimit. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga deputeti socialist Damian Gjiknuri: “Kjo është ajo që po kërkojmë: zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit. Emisioni ka nxjerrë në pah vetëm një pjesë të vogël të manipulimeve, pasi ato janë edhe më shumë. Për këtë arsye kemi kërkuar komision hetimor, që të vëmë përpara ligjit të gjithë ata komisionerë apo persona, të cilët kanë guxuar të vënë dorë mbi procesin”, - tha Gjiknuri.

Topi takon Benxhamin, vlerëson kontributin e NDI-së në zgjedhje

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me drejtorin Rajonal të Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan për Europën Qendrore dhe Lindore, Robert Benxhamin. Kryetari i Shtetit vlerësoi rolin e hartimit dhe zbatimit të disa programeve të NDI-së në Shqipëri, si ato mbi pjesëmarrjen në politikë, monitorimin e procesit zgjedhor dhe, së fundi, programin e quajtur “Zhvillimi i liderëve të rinj në politikë dhe rritja e pjesëmarrjes së gruas”. Në vijim të bisedës, presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve më aktuale të jetës politike në Shqipëri, duke folur mbi ecurinë e reformave të gjithanshme në vend dhe duke u ndalur veçanërisht në reformat institucionale. Në këtë kuadër, kryetari i shtetit vlerësoi kontributin e NDI-së për monitorimin e zgjedhjeve dhe ndihmën në reflektimin e shoqërisë civile mbi këtë proces. Nga ana e tij, drejtori rajonal për Europën Qendrore dhe Lindore i Institutit Demokratik Kombëtar amerikan, Robert Benxhamin, pasi e falënderoi presidentin Topi për pritjen, shprehu vlerësimin për rolin e rëndësishëm moderator si garant i Kushtetutës si dhe mbështetjen e pakursyer të kreut të shtetit shqiptar ndaj nismave dhe projekteve të ndërmarra nga Instituti në vendin tonë për demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve shqiptare. Benxhamin vlerësoi lart bashkëpunimin institucional dhe kontributin e presidentit në procesin e demokratizimit dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura, rritjen e cilësisë dhe forcimin e dialogut politik, në promovimin e të rinjve dhe grave në proceset politike dhe qeverisëse.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›