Klosi: “Protestat masive të elektoratit të opozitës mbeten në dorën e maxhorancës”
Partia Socialiste ka dorëzuar dy ditë më parë në sekretariatin e Kryesisë së Kuvendit dy draftet ligjore për zgjidhjen e krizës politike. Ndërkohë, i ngelet maxhorancës të japë vendimin e fundit. Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi dje se nëse maxhoranca nuk i përgjigjet kërkesës së opozitës, ajo do të nisë protestat masive. “Partia Socialiste hodhi një hap të rëndësishëm duke u futur në Kuvend. Ishte ky një vendim i mirëmenduar i Partisë Socialiste për të hedhur këtë hap të parë, duke i dhënë kësisoj një shans maxhorancës për të filluar një orë e më parë, së bashku një përpjekje serioze, për t’i dhënë fund krizës politike, institucionale e të demokracisë që është ulur këmbëkryq në Shqipëri”, - u shpreh Klosi. Ai theksoi se me hyrjen e saj në Kuvend, Partia Socialiste u dha fund njëherë e mirë alibive e justifikimeve bajate për një opozitë që nuk respekton Kushtetutën apo institucionet e pavarura të vendit sepse opozita nuk mund të marrë pjesë në punimet e një kuvendi të cilin ajo nuk e njeh. “Me hyrjen e saj në Kuvend dhe me këmbënguljen për bërjen e transparencës të zgjedhjeve të 28 qershorit, si një kusht i panegociueshëm për rivendosjen e demokracisë në vend, Partia Socialiste i provoi Sali Berishës njëherë e mirë se nuk është e interesuar në pazaret, të cilat përbëjnë thelbin e pushtetit të tij”, - tha Klosi. Në emër të PS-së, Klosi i bën thirrje kryeministrit Berisha që të mos e çojë kot me kokëfortësi këtë mundësi që po i jepet. Ai tha se PS-ja është e vendosur t’i shkojë deri në fund kauzës së saj për transparencën e zgjedhjeve. “Ne e kuptojmë shumë mirë që si një pushtetar i mësuar me manipulime e pazare, Sali Berisha e ka të vështirë të kuptojë sinqeritetin dhe vendosmërinë e Partisë Socialiste, por ai gabohet nëse i shkon ndër mend që ne do të tërhiqemi nga kërkesa jonë për transparencë”, - u shpreh deputeti Klosi.
1 Mars 2010