Kamza, koha e Perlat Mustës
Ndërsa Kategoria Superiore e ka pushim këtë javë (luhet vetëm Skënderbeu-Shkumbini, të dielën), Kategoria e Parë do të zhvillojë ndeshjet e javës së 20-të, ku spikat supersfida Kamza-Elbasani, por dhe ajo midis Pogradecit dhe Elbasanit (luhet të hënën në Korçë).
Kamza - Elbasani
Elbasani (38 pikë, një ndeshje më pak) do të jetë mysafir në Kamzë, në debutimin e Perlat Mustës si trajner i kamzalinjve (zëvendësoi Agustin Kolën e shkarkuar pas humbjes me Lushnjën). Kamza, tashmë tri pikë larg Adës së vendit të katërt, duhet të provojë kundër verdhebluve se kualifikimin në Kupën e Shqipërisë ka qenë i merituar. Kapiteni i Kamzës, Ervin Kryemadhi: “Nuk e përsërisim gabimin (barazimin) me Pogradecin”. Elbasani nuk është një skuadër e fortë në transfertë: vetëm dy fitore, kundër Luftëtarit në Gjirokastër dhe Sopotit të Librazhdit në tavolinë. Te Elbasani ka nisur të shfaqet pak rebelezëm të lojtarëve të kaluar në plan të dytë.
Bylis - Skrapari
Bylisi, kryesuesi me distancë i Kategorisë së Parë (48 pikë), synon fitoren e radhës ndaj modestëve të Skraparit (12 pikë) në përballjen e javës së 20-të në “Adush Muça”. Bylis nuk ka humbur asnjë takim në shtëpi, por kapiteni Amarlido Dimo nuk e merr të lehtë takimin: “I mbyturi të mbyt”. Skrapari ka pësuar 12 humbje këtë sezon, por në takimin e fundit fitoi 2-0 kundër Sopotit të vendit të fundit. Bylisi nga ana e tij mori tri pikët e radhës në Gramsh.
Turbina-Memaliaj
Turbina pret në Cërrik Memaliajn, në një derbi të “kateve të ulëta”, por me Memaliajn që ka një pikë më shumë: 16, kundrejt 15 të cërrikasve. Turbina e Sinan Bardhit është e freskët pasi nuk luan një ndeshje prej dy javësh pas shtyrjeve të takimeve. Sulmuesi i Turbinës, Ervis Kafazi: “Çdo rezultat tjetër përveç fitores do të ishte i pa tolerueshëm”.
Turbina-Memaliaj
Luftëtari (23 pikë) pret në shtëpi Burrelin (24 pikë, por me dy ndeshje më pak). Gjirokastritët e Mustafa Hysit vijnë nga humbja me Bilishtin (2-1), Burreli nga ndeshja e shtyrë me Turbinën. Kapiteni 39-vjeçar i Luftëtarit, Neritan Novi: “Burrelasit janë të mirëpritur për të vizituar gjithçka historike që ka qyteti ynë, pasi kështu fitojnë më shumë kulturë”. Burrelasi Klevis Hysa: “Kemi moral të lartë dhe nuk i trembemi asnjë transferte. Pikët në Gjirokastër na duhen shumë”.
Ada-Gramshi
Ada e vendit të katërt (34 pikë) pret në shtëpi Gramshin (21), një takim që vjen menjëherë pas humbjes 2-0 me Partizanin në kryeqytet (e 7-ta në transfertë për velipojakët). Ada nuk fal kurrë në shtëpi, madje është një makinë e vërtetë golash: 31 të tillë nga 36 gola që ka realizuar në total. Gramshi mbërrin në Velipojë pas humbjes “falëse” me Bylisin.
Besëlidhja-Partizani
Partizani i fazës së dytë (2 fitore, 1 barazim) udhëton në Lezhë kundër Besëlidhjes, një sfidë e vështirë, por që trajneri Skerdi Bejzade ka si objektiv vetëm tri pikë, për të mbajtur gjallë shpresat për një nga katër vendet e para (aktualisht ndodhet 5 pikë larg Adës, që mban këtë vend, por të kuqtë kanë pa luajtur ndeshjen kundër Bilishtit). Bejzade: “Objektivi im personal është të triumfoj në të gjitha sfidat e mbetura. Në Lezhë të jepet mundësia të luash futboll”. Trajneri Ilir Gjyla i Besëlidhjes: “Partizani është Partizan, nëse mposhtemi nuk e quaj dështim”. Besëlidhja ka grumbulluar 17 pikë në 19 ndeshje (vendi i 12-të).
Sopoti-Bilishti
Sopoti i vendit të fundit (10 pikë) është skuadra me më shumë humbje në kampionat: 14 të tilla në 19 ndeshje. Sopoti vjen pas humbjes me Skraparin, Bilishti pas fitores me Luftëtarin. Eminguen Cfarku i Bilishtit” “Na kënaq dhe një pikë në Librazhd”.
Pogradeci -Lushnja
Lushnja (38 pikë) pas fitores 1-0 ndaj një rivali direkt si Kamza, do të luajë kundër në Pogradec (32 pikë), ndaj një tjetër pretendenti për katër vendet e para, e që vjen në përballjen kundër lushnjarëve të Artan Banos pas humbjes 2-0 me Elbasanin.
Trajneri i Pogradecit, Ylli Çekiçi, deklaroi qartë: “Me Lushnjën u rikthehemi fitoreve”. Kundërpëgjigjia e mbrojtësit të Lushnjës, Enrik Dima: “Nuk gabojmë më”. Takimi do të luhet ditën e hënë në stadiumin e qytetit të Korçës.
KATEGORIA E PARË
JAVA XX, 27 shkurt 2010
Kamza-Elbasani
Turbina-Memaliaj
Luftëtari-Burreli
Ada-Gramshi
Besëlidhja-Partizani
Bylis-Skrapari
Sopoti-Bilisht Sport
Pogradeci-Lushnja
RENDITJA
1 Bylis 19 47
2 Lushnja 19 38
3 Elbasani 18 38
4 Ada` 19 34
5 Pogradeci 19 32
6 Kamza 19 31
7 Partizani 18 29
8 Burreli 17 24
9 Luftëtari 19 23
10 Bilishti S. 17 23
11 Gramshi 19 21
12 Besëlidhja 19 27
13 Memaliaj 19 17
14 Turbina 17 15
15 Skrapari 18 12
16 Sopoti 18 10
27 Shkurt 2010