Manipulimi i zgjedhjeve, çfarë ka dalë në dritë nga hapja e kutive
Duket qartë se pengesa për hapjen e kutive fsheh në vetvete manipulimin e bërë gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit. Disa kohë më parë gazeta “Albania” ka arritur të zbardhë manipulimin e bërë në qarkun e Shkodrës, që është denoncuar edhe nga Partia Demokristiane. Kjo parti ngriti grupe të posaçme të cilët bënë krahasimin e pamjeve filmike të fletëve të votimit me procesverbalet e firmosura nga komisionerët. Nga ky krahasim u konstatua se në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, në qarkun e Shkodrës janë manipuluar rreth 12 500 vota. Kjo sasi votash ka qenë tepër përcaktuese për më shumë se një mandat deputeti.
Provat
Partitë opozitare, konkretisht Partia Demokristiane, ka arritur të provojë manipulimet në të paktën katër qendra votimi në qarkun e Shkodrës. Sipas verifikimeve të bëra rezulton se në këto katër qendra votimi janë manipuluar 1600 vota. Por ky fakt është vetëm “maja e Ajsbergut”. Krahasimi i pamjeve filmike që përmbajnë të regjistruar secilën prej votave me rezultatin e shpallur ka nxjerrë në pah një shifër vërtet të madhe të votave të manipuluara: rreth 12 500 të tilla. Nga këto vota janë privuar kryesisht Partia Demokristiane, LSI-ja dhe Partia Socialiste. Partia Demokristiane disponon provat për katër qendra votimit të manipuluara, të cilat i ka depozituar prej kohësh pranë Prokurorisë. PDK-ja gjithashtu ka kërkuar ndjekjen penale për 12 komisionerët e KZAZ-së në qarkun e Shkodrës.
Hetimi
Pavarësisht se është depozituar kallëzimin penal për komisionerët, të shoqëruara me provat e manipulimit, Prokuroria ende nuk ka nisur procedimin penal. Organi i akuzës nuk ka shpallur fillimin e hetimit ndaj këtyre fakteve që vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve. Partitë opozitare aktualisht janë duke pritur rritjen e një presioni pozitiv nga ana e faktorit ndërkombëtar për të nxitur Prokurorinë që të hapë hetimet. Ndërkombëtarët, në raportet e tyre, theksuan se mungonin provat, të cilat vërtetonin manipulimin e procesit zgjedhor. Por dalja në pah e provave të manipulimit në qarkun e Shkodrës mund të sjellin ndryshim të qëndrimit të ndërkombëtarëve lidhur me procesin zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri. 12 500 votat që janë manipuluar në qarkun e Shkodrës kanë qenë shumë përcaktuese në shpërndarjen e mandateve në këtë qark. Ato kanë ndryshuar destinacionin e të paktën dy mandateve për subjektet zgjedhore që morën pjesë në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Thënë më qartësisht, në rast se nuk do të kishte manipulime të votave në këtë qark, PD-ja nuk do të kishte 7 mandate dhe PS-ja 4 mandate. Një rezultat i padeformuar do të siglonte 5 mandate për PD-në, 5 për PS-në dhe 1 për Partinë Demokristiane.
Votat e shtuara
Nëse merret mesatarja e manipulimit në favor të PD-së në KZAZ-në Nr. 40, që i përket qytetit të Shkodrës dhe që është KZAZ-ja më pak e manipuluar, rezulton që PD-ja të ketë shtuar në gjithë qarkun e Shkodrës rreth 9 mijë vota në favor të saj, pra një mandat deputeti. Nëse marrim KZAZ të tjera, si ajo me numër 42, që i përket periferisë apo zonës së Pukës dhe e konsiderojmë si mesatare, atëherë shifra mund të jetë mbi 12 mijë vota.
Në Qendrën e Votimit Nr. 0255 në Shkodër, sipas procesverbalit të dorëzuar në KQZ, PD-ja ka marrë 327 vota, kurse sipas rinumërimit që u bë nga kamera, ajo rezulton se ka marrë 273 vota, pra ka një shtesë prej 54 votash në favor të PD-së. Nëse këto shifra merren si maksimumi i manipulimit, atëherë i bie që Partia Demokratike në Shkodër, nëse ka shtuar nga 54 fletë në çdo qendër, mund të ketë shtuar teorikisht rreth 20 mijë vota. Por, nga llogaritë për gjithë KZAZ-të, del se mesatarisht PD-ja ka shtuar rreth 25 vota për qendër votimi, çka e çon në gati 9 mijë vota të vjedhura prej saj në një qark, shifër kjo e mjaftueshme për t’i hequr PD-së një deputet. Eksperti Julian Mema, që ka hetuar CD-në e KZAZ-së Nr. 40 në Shkodër, i shpjegon problemet që ka hasur. Sipas tij, problemi i parë është gjendja pa inventar e filmimit. Në regjistrim mungon numri i qendrës së votimit kur hapet kutia dhe ekspertëve u është dashur ta hetojnë atë nga vula e komisionerit pas fletës së votimit.
Rezultatet, rastet kur çuditerisht PS-ja nuk ka marrë asnjë votë në zgjedhje
Gazeta “Albania” vetëm pak ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja zbardhi manipulimet e bëra në disa qendra votimi ku Partia Socialiste rezulton me zero vota. Duke vëzhguar listat e shpallura nga KQZ-ja ka rezultate që duken të pabesueshme në pamje të parë: Një subjekt mund të ketë marrë mbi 300 vota, ndërsa subjekti tjetër asnjë votë. Një fenomen i tillë vihet re në shumë prej qarqeve të vendit. Rezultate me 0 vota ose shumë afër konstatohen edhe në Tiranë, jo vetëm në qarqet e Veriut të vendit apo në zonën e Jugut. Sipas monitorimit të rezultateve të nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas zonave të administrimit zgjedhor (ZAZ), duke i marrë të gjitha qendrat e votimeve, numrin më të madh të rezultateve të tilla e kanë qarku i Shkodrës, i Kukësit, i Fierit, por edhe Tirana ka tri raste të tilla. Gazeta ka nxjerrë rastet për dy subjektet kryesore zgjedhore: Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, të cilat kanë marrë edhe përqindjen më të lartë të votave në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ashtu siç është kontestuar edhe nga kandidatët e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, rezultatet e shpallura nga KQZ-ja flasin për shifra të pabesueshme. Në Zonën e Administrimit Zgjedhor Nr. 40, dhe konkretisht në Qendrën e Votimit Nr. 0257, partia më e madhe e maxhorancës ka marrë 143 vota, kundrejt 1 vote që kanë marrë socialistët. Statistikat e publikuara nga KQZ-ja flasin edhe për rezultate të tilla si 93 me 0 apo 116 me 2. Ndërsa në ZAZ-në Nr. 44 konstatohen rezultate të tilla si: 153 PD-ja kundrejt 0 votave të PS-së; 111 me 0 dhe kështu me radhë. Qarku i Shkodrës përfshin 5 zona të administrimit zgjedhor dhe vetëm në Zonën Nr. 41 dhe atë 43 shihen të dhëna që nuk kanë diferenca apo nivele kaq të ulëta të votave.
Thuajse në të njëjtën situatë është e qarku i Kukësit, i cili përfshin rrethet e Kukësit, të Hasit dhe Tropojës. Ndonëse qendrat e votimeve kanë numër të vogël votuesish, nuk mungojnë rastet kur PS-ja ka marrë 1, 2 apo 3 vota, ndërsa PD-ja ka një diferencë të konsiderueshme. Teksa analizohen të dhënat për qarkun e Dibrës sheh se forca kryesore e së djathtës ka marrë 130 vota kundrejt zero vota të PS-së. Shifra të tilla konstatohen edhe në qarkun e Fierit. Për shembull, në Qendrën e Votimit Nr. 2860 Partia Demokratike ka marrë 243 vota, ndërsa socialistët vetëm 2 vota.
Edhe në rastin e Tiranës janë konstatuar tri raste kur forca më e madhe e së djathtës ka fituar votat maksimale. Në Zonën Nr. 1968 ajo ka fituar 267 vota kundër zero votash të socialistëve. PS-ja nuk ka marrë asnjë votë as në qendrat e votimit 291 dhe 1598.
Në qarqet e Korçës, Gjirokastrës dhe Elbasanit ka shumë më pak raste të tilla kur njëri subjekt politik nuk merr asnjë votë.
Gjatë vëzhgimit të të dhënave të KQZ-së për Durrësin sheh se nuk ka asnjë rast kur PS-ja apo PD-ja të mos kenë marrë vota, apo kur dy subjektet kryesore politike kanë raporte të tilla votash.
REZULTATET E ÇUDITSHME
Qarku i Shkodrës
ZAZ Nr. 40 PD PS
Qendra e Votimit Nr. 0257 143 1
ZAZ Nr. 42
Qendra e Votimit 0186 93 0
Qendra e Votimit 0187 17 0
Qendra e Votimit 0188 211 9
Qendra e Votimit 0191 116 2
ZAZ Nr. 44
Qendra e votimit Nr. 0038 153 0
Qendra e votimit Nr. 0046 26 1
Qendra e votimit Nr. 0070 64 4
Qendra e votimit Nr. 0075 111 0
QARKU I KUKËSIT
ZAZ Nr. 34
Qendra e votimit Nr. 0592 25 2
Qendra e votimit Nr. 0658 64 5
Qendra e votimit Nr. 0670 65 3
ZAZ Nr. 35
Qendra e votimit Nr. 0537 31 1
ZAZ Nr. 36
Qendra e Votimit Nr. 0457 32 3
Qendra e Votimit Nr. 0458 41 0
Qendra e Votimit Nr. 0459 20 1
Qendra e Votimit Nr. 0463 21 1
Qendra e Votimit Nr. 0492 44 2
Qendra e Votimit Nr. 0517 119 3
QARKU I DIBRËS
ZAZ Nr. 5
Qendra e Votimit Nr. 1231 51 4
Qendra e Votimit Nr. 1241 35 2
ZAZ Nr. 7
Qendra e Votimit Nr. 1048 130 0
Qendra e Votimit Nr. 1088 107 5
QARKU I FIERIT
ZAZ Nr. 21
Qendra e Votimit 2860 243 2
QARKU I VLORËS
ZAZ Nr. 62
Qendra e Votimit Nr. 4578 31 1
ZAZ Nr. 65
Qendra e Votimit Nr. 4725 134 0
QARKU I GJIROKASTRËS
ZAZ Nr. 26
Qendra e Votimit Nr. 3406 26 1
QARKU I KORÇËS
ZAZ Nr. 29
Qendra e Votimit Nr. 4013 38 0
QARKU I ELBASANIT
ZAZ Nr. 17
Qendra e Votimit Nr. 2756 46 4
QARKU I TIRANËS
ZAZ Nr. 53
Qendra e Votimit Nr. 1968 267 0
ZAZ Nr. 54
Qendra e Votimit Nr. 1987 291 0
ZAZ Nr. 56
Qendra e Votimit Nr. 1598 398 0
1 Mars 2010