E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, zbardhen tarifat për plotësimin e formularëve

Mungojnë koeficientet, bllokohet plotësimi i formularëve A1 dhe A1-Z. Ministria e Arsimit deklaron nisjen e plotësimit, specialistët janë kundër

Jonida Tashi

Zbardhen tarifat që duhet të paguajnë maturantët për t’iu nënshtruar provimeve të Maturës. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se tarifa për plotësimin e formularëve A1, A1-Z dhe A2 do të jetë 1500 lekë. Bashkë me formularin e plotësuar, maturantët duhet të dorëzojnë edhe mandatarkëtimin e pagesës prej 1500 lekësh, pa të cilin formularët nuk quhen të vlefshëm. Sipas rregullores së Maturës, regjistrimi i çdo kandidati për provimet e Maturës konsiderohet i plotë në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal, që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Pagesa e taksës për plotësimin e formularëve të mësipërm kryhet pranë shkollës ku maturanti vazhdon mësimin. Ndërsa për maturantët e maturave të mëparshme kjo pagesë kryhet pranë shkollës së mesme ku ata kanë mbaruar. Megjithëse Ministria e Arsimit ka përcaktuar tarifat për plotësimin e formularëve, ky proces nuk ka nisur ende në asnjë shkollë të vendit.
Bllokimi
Procesi i plotësimit të formularëve A1 dhe A1-Z për provimet e Maturës është bllokuar pa afat. Shkak për këtë është bërë mosmiratimi i koeficienteve për 12 lëndët me zgjedhje nga Ministria e Arsimit. Duke qenë se në formularët A1 dhe A1-Z maturantët duhet të përzgjedhin dy lëndë me zgjedhje për të vijuar studimet e larta, formularët nuk mund të plotësohen pa koeficientet. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit, pa dashur ta pranojnë mospublikimin e koeficienteve të lëndëve me zgjedhje si thyerje të rregullores së Maturës, deklarojnë se formularët mund të plotësohen edhe pa koeficientet. Ndërkohë që, sipas specialistëve të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), që merren posaçërisht me zhvillimin e provimeve të Maturës, formularët A1 dhe A1-Z nuk mund të plotësohen pa ditur koeficientet e lëndëve me zgjedhje. Për të respektuar afatet e vendosura, më datën 25 shkurt universitetet dorëzuan në MASH propozimet e tyre për koeficientet e provimeve me zgjedhje. Burime nga MASH-i sqarojnë vetëm se këto koeficiente po shqyrtohen dhe nuk bëjnë të ditur se kur do të miratohen. Po sipas të njëjtave burime, koeficientet e lëndëve me zgjedhje nuk janë të nevojshme për plotësimin e formularit A1, pasi maturantët duhet t’i zgjedhin këto lëndë sipas profilit të gjimnazit dhe prirjeve personale. Sipas rregullores së Maturës 2009, data 10 mars është afati i fundit për dorëzimin e formularëve A1 dhe A1-Z.
Koeficientet
Për lëndët me zgjedhje do të jenë dy lloje koeficientesh në dispozicion, të cilat do të variojnë nga 1.0 në 1.3.
Formulari A1 përmban gjeneralitetet e maturantit dhe 12 lëndët me zgjedhje, nga të cilat maturanti, sipas përgatitjes, prirjes dhe koeficienteve të lëndëve me zgjedhje, do të zgjedhë dy lëndë për provim. Për pranimet në shkollat e larta janë dy lloje koeficientesh: pesë koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion pesë koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për 2 e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe dy notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht për llojin e shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë shpall parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficienteve të tjera me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këto koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›