E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goleadori Xhihani, tjetër “gol” Ari Hanit

Ish-kapiteni i Besës realizoi golin e tij të tetë sezonal në Ukrainë. Ervin Skela dha asist në humbjen dramatike të Kotbusit të tij me Bokumin

Dash Frashëri

Parid Xhihani i dha një tjetër sinjal të fortë trajnerit të Kombëtares, Ari Han, përpara se holandezi të nisë “turin e tij vëzhgues” në Ukrainë gjatë muajit mars, në kuadër të njohjes më të mirë të lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e ndryshme europiane para se të publikojë listën për ndeshjen e rëndësishme të Shqipërisë me Hungarinë, më 28 mars.
Sulmuesi kavajas, i cili luan me Zorjan Lugansk në kampionatin ukrainas, shënoi golin e vetëm në humbjen 2-1 të skuadrës së tij në transfertën me Metalurg Zaporezhje, që nga ana e saj fitoi me një gol në minutën e 94-t.
Ish-kapiteni i Besës realizoi golin e tij të tetë sezonal në kampionat (19 ndeshje të aktivizuara), duke qenë golashënuesi më i mirë i ekipit te tij e njëherësh legjionari me më shumë gola në këtë sezon në kampionatet europiane.
Po në kampionatin ukrainas, të premten Krivbasi i “tre shqiptarëve”, portieri Isli Hidi, kapiteni Ervin Bylykbashi e mesfushorit Ervin Bulku barazoi në transfertë 1-1 me Metalurg Donjeck.
Vorskla Poltava e “tre kosovarëve” Debatik Curri, Armend Dallu e Ahmed Januzi fitoi 1-0 në shtëpi me Tavrian. Sipas faqes zyrtare të Premier Ligës ukrainase, Curri e Dallku nuk ishin as në 18-she, ndërsa Januzi qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë.

Skela jep asist

Edhe pse Energi kaloi dy herë në avantazh kundër Bokumit, Kotbusi i Ervin Skelës, në fund të takimit nuk arriti të sigurojë qoftë edhe një pikë në humbjen dramatike 3-2 me rivalin direkt për mbijetësë në Bundesligën 1.
Mesfushori shqiptar ishte autori i asistit të golit të parë të Kotbusit, të realizuar qysh në minutën e 2-të, të realizuar nga Iliev. Jula shënoi golin e dytë për Kotbusin, ndërsa Epale, Fuks e Pfercel (me penallti) firmosën fitoren për Bokumin, me të cilin aktivizohet mbrojtësi kosovar Mërvim Mavraj (90 minuta të plota për të).
Skela, i cili tregoi edhe në këtë ndeshje diçka nga magjia e tij, dhuroi emocione të mëdha në minutën e 68-të, kur ekzekutoi bukur nga një pozicion një gjuajtje të lirë. Ervini luajti gjatë gjithë takimit dhe u ndëshkua edhe me një karton të verdhë.
Hanoveri i Altin Lalës fitoi 1-0 me Bajer Leverkuzen, Brugnik shënoi në minutën e 33-të. Lala edhe në këtë nuk ishte në bankinë, pasi, me sa duket, edhe pse po stërvitet, ende nuk është gati për lojë.
Karlsruhe e Edmond Kapllanit do të luajë të dielën kundër Shtutgartit.

Tetë golat e Xhihanit

Zorja-Iliçieviç 2-1 (1)
Shahktar-Zorja 3-1 (1)
Kharkiv-Zorja 2-3 (1)
Zorja-Krivbas 1-2 (1)
Çornomorets-Zorja 1-3 (2)
Arsenal-Zorja 1-1 (1)
Metalurg Z-Zorja 2-1 (1)

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›