Vllaznia, objektivi: “koka nr. 1”
Pa goleadorin e momentit, Xhevair Sukajn (i dëmtuar), kryesuesja Kategorisë Superiore, Vllaznia (41 pikë), ka vetëm një objektiv ndaj Teutës në “Niko Dovana”: fitoren për të qenë ajo koka nr. 1 e fazës së tretë dhe mikpritëse e ndeshjes përmbyllëse të Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit, parë dhe faktin se Tirana e vendit të dytë do të përballet me Lushnjën, që mbyll edhe renditjen e 12 skuadrave më të mira të Shqipërisë.
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, e konsideron shumë të vështirë transfertën kundër skuadrës durrsake, pasi dhe në përballjen e fazës së parë në “Loro Boriçi” Vllaznia fitoi 2-1 me skuadrën e drejtuar nga Sulejman Starova, falë golit të realizuar nga mbrojtësi Elvin Beqiri në minutën e tretë shtesë të pjesë së dytë, teksa më parë kishin shënuar Osja për shkodranët e Hysa për durrsakët.
Pa asnjë fitore në shtatë ndeshjet – katër humbje, tre barazime (fitorja i mungon që nga 6 dhjetorit 2008 kundër Shkumbinit) – presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, beson se skuadra e tij do të gjejë forcat e motivimin e duhur për të fituar kundër Vllaznisë, prej së cilës u eliminua dhe nga vazhdimi i Kupës së Shqipërisë.
Trajneri i Teutës, Sulejman Starova, njeriu që i siguroi para dy sezonesh “djemve të detit” dy “medalja të argjendta”: nënkampion në kampionat dhe finalist (i humbur) në Kupën e Shqipërisë, ka qenë i kursyer në deklarata pas humbjes 2-0 me Bylisin, ku pati “fatin” të shijojë dhe goditjen me një çakmak nga një ultras ballshiot.
Fitorja e fundit e Vllaznisë në transfertë lidhet pikërisht me Bylisin (1-2), ndërkohë që në vizitën e fundit për kampionat në “Niko Dovana”, ajo e sezonit të kaluar, Vllaznia fitoi thellësisht 0-3 me një tripletë të Vioresin Sinanit, golashënuesi më i mirë edhe për këtë sezon te kuqeblutë (9 gola). Në vijën e parë, trajneri Agim Canaj do të hedhë së bashku me 3-herë golashënuesin më të mirë të Shqipërisë edhe Paulin Dhëmbin, futbollistin e dytë me më shumë gola (6) të Vllaznia.
Dy skuadrat kanë një diferencë të qartë vendesh - Vllaznia, e para; Teuta, e gjashta, - por, edhe pikësh: +15 pikë për shkodranët. Edhe për kompanitë e basteve, Vllaznia konsiderohet favoritja për të fituar takimin: 2.00 kuotohet fitorja e kuqebluve, 3.40 ajo e Teutës, ndërsa barazimi 3.95. Këto janë kuotat që ofron betexplorer.com.
Duke parë renditjet specifike në bazë të pikëve të grumbulluara për ndeshjet e zhvilluara brenda dhe jashtë saj, Teuta nuk shkëlqen në takimet e ndeshjet e shtëpisë: vetëm 15 pikë në 10 ndeshje (vendi i 9-të), ndërkohë që Vllaznia në ndeshjet jashtë është e treta, po me 15 pikë në 10 ndeshje.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 22
01.03.2009
Teuta-Vllaznia (A.Lulaj)
Faza I: Vllaznia-Teuta 2-1
Lushnja-Tirana (K.Meta)
Faza I: Tirana-Lushnja 1-0
Elbasani-Partizani (B.Pashaj)
Faza I: Partizani-Elbasani 2-2
Besa-Apolonia (S.Çekaj)
Faza I: Apolonia-Besa 3-1
Shkumbini-Flamurtari (E.Peza)
Faza I: Flamurtari-Shkumbini 0-0
Dinamo-Bylis (E.Hoxha)
Faza I: Bylis-Dinamo 1-0
RENDITJA
1. Vllaznia 41
2. Tirana 40
3. Dinamo 35
4. Shkumbini 33
5. Besa 29
6. Teuta 26
7. Elbasani 25
8. Flamurtari 25
9. Apolonia 24
10.Partizani 22
11.Bylis 21
12.Lushnja 18
Lushnja-Tirana, nga mbijetesa te titulli
Në ndeshjen e fazës së parë, Tirana fitoi me Lushnjën (1-0) në “Selman Stërmasi” me një autogol të Laert Ndonit, por në ndeshjen e fundit të zhvilluar në “Roza Haxhiu”, ajo për Kupën e Shqipërisë, 23 herë kampionët e Shqipërisë iu imponuan plotësisht vendasve, duke fituar thellësisht 4-1.
Me këto kujtime të bukura dhe me formacionin më të mirë në dispozicion, trajneri i Tiranës, Agustin Kola, kërkon maksimumin nga lojtarët e tij për të përfituar nga ndonjë hap fals i Vllaznisë, rivales më të madhe për titull.
Golashënuesi më i mirë i Tiranës në kampionat, Migen Memelli, autori i dy golave kundër Lushnjës në ndeshjen e Kupës, e vlerësoi tepër të rëndësishme sfidën.
“Lushnja ka bërë ndeshje shumë të mira këtë vit, pavarësisht se humbi javën e kaluar me Vllazninë. E kemi vlerësuar maksimalisht takimin, pasi për Lushnjën çdo ndeshje është si një finale në luftën për mbijetesë. Objektivi ynë është fitorja, pasi luftojmë për titullin kampion”, - tha sulmuesi bardheblu, i cili ka arritur një marrëveshje paraprake me shumë të konsiderueshme financiare me skuadrën e kryeqytetit kinez, FC Beijing.
Në përballjen e dyfishtë me Elbasanin, për kampionat e kupë, Tirana nuk arriti të shkojë më shumë se barazimi pa gola, por te skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë në transfertë (16, po aq sa Dinamo), besojnë se ndaj ekipit me më pak pikë të grumbulluara në shtëpi, është rasti më i mirë për t’u rikthyer te goli e fitorja.
Në fakt, në pesë ndeshjet e fundit midis këtyre dy ekipeve në kampionat, përfshirë edhe ato të sezonit 2005-2006, Tirana nuk ka shënuar më shumë se një gol, kur ka mundur të fitojë 3 dhe të barazojë 2 të tilla. Sa për kujtesë, fitorja e fundit e Lushnjës ndaj Tiranës daton më 17 maj 2003, me një triumf në kryeqytet (1-0), ndërsa fitorja më e thellë e bardhebluve në Lushnjën në dhjetë vitet e fundit është ajo 6-0, më 23 gusht 2003.
Elbasani: Boll me “X”!
Të gjithë në Elbasan besojnë se pas dy barazimeve pa gola ndaj “big-ëve të kampionatit, Vllaznisë e Tiranës, se kundër Partizanit ka ardhur momenti i fitores së parë nën drejtimin e Faruk Sejdinit, pavarësisht se vija e parë është në “infermieri”: Bejzade (i operuar) e Pema (i dëmtuar). Në fazën e parë ndeshja dhuroi shumë emocione, pasi barazimi i verdhebluve (2-2) u arrit në minutat e fundit (Ahmataj shënoi në të 89’), teksa polemikat në “Qemal Stafa” nuk munguan kur Partizanit iu mohua një penallti në minutën e fundit nga ndërkombëtari Albano Janku.
2 Mars 2009