Klosi: “Qytetarë shqiptarë, bashkohuni me ne në këtë muaj protestash!”
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, nga selia rozë u ka bërë dje thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen opozitës në këtë muaj protestash. Ai tha se PS-ja do të përdorë çdo mjet në arsenalin e mjeteve demokratike për të larguar Sali Berishën nga pushteti përpara se kostoja e sundimit të tij ilegjitim të bëhet e papërballueshme për vendin. “Sot të gjitha familjet shqiptare vuajnë në kurrizin e tyre keqqeverisjen e një pushteti që nuk është produkt i votës së qytetarëve të Shqipërisë, por produkt i manipulimit, shtrembërimit dhe grabitjes së vullnetit të tyre. Sot paaftësinë e Sali Berishës e ndiejnë të gjithë shqiptarët, të cilët në këtë Shqipëri të mrekullive ekonomike të qeverisë, duhet të përballen me rritjen e gjithanshme e të papërballueshme të çmimeve, duke filluar që nga trefishimi i çmimve të ushqimeve, frutave e perimeve, faturat e energjisë, shërbimet shëndetësore e, pa dyshim, rënien e lekut që vepron si një taksë e fshehtë te të gjithë shqiptarët”, - u shpreh Klosi. Sipas tij, të gjitha hallet e problemet me të cilat përballemi sot e kanë zanafillën vetëm te keqqeverisja e një regjimi, i cili e sheh popullin mbarë si të njerkës, i cili nuk ndjehet aspak i detyruar të japë llogari për keqqeverisjen e tij, sepse ka sigurinë që qytetarëve ua merr votën edhe me pahir. “Prandaj sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që të gjithë së bashku t’i japim kësaj qeverie të paaftë, të korruptuar e të papërgjegjshme, mesazhin se shqiptarët nuk kanë ndër mend të pranojnë sundimin e Saliut që u ka vjedhur votat e po u mohon transparencën për interesat e ngushta të oborrit të tij”, - u shpreh Klosi, duke shtuar se “kriza që nuk e prek Saliun, oborrin e ministrave dhe as familjen në pushtet, po cfilit deri në palcë të gjithë shqiptarët e shqiptarët. Është kjo arsyeja pse gjatë muajit prill protestat do të jenë të gjithanshme, kudo, në çdo cep të Shqipërisë, në çdo rrugë, në çdo qytet e në çdo fshat”.
30 Mars 2010