E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takon Lohan: Kriza politike, ndërkombëtarët, apel palëve për bashkëpunim



Ndërkombëtarët vazhdojnë të sensibilizojnë palët për bashkëpunim politik lidhur me kauzën që është krijuar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë duket se ata po vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë krizës.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pritur dje në një takim surprizë në selinë rozë ambasadorin e Komisionit Europian, Helmut Lohan. Takimi nuk ishte bërë i ditur nga selia rozë dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura pa praninë e gazetarëve. Ky takim është zhvilluar në një kohë kur Asambleja Kombëtare e PS-së mori vendimin për nisjen e protestave dhe për raportin e kushtëzuar me Parlamentin. Duket se ambasadori Lohan, ashtu si ambasadori spanjoll Emanuel Montobio, ka bërë apel që opozita të ketë një pjesëmarrje aktive në Parlament, pasi disa projektligje mjaft të rëndësishme kërkojnë shumicë votash. Mospjesëmarrja e opozitës do të bllokonte aktivitetin e institucionit të Kuvendit.
Para disa ditësh, ambasadori Montobio, në një intervistë të dhënë për një media, deklaroi se politika prodhoi në Parlament një situatë që nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën. Montobio kërkon që liderët politikë të ulen dhe të dialogojnë sërish, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, pasi po skadojnë afate të rëndësishme për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe mungesa e një rrugëdaljeje do të vonojë integrimin. Ai sqaroi se ajo që ka thënë Bashkimi Europian është se zgjidhja e këtij ngërçi politik është një dialog konstruktiv politik dhe rezultati që do të arrihet nëpërmjet këtij dialogu është pikërisht një marrëveshje për mandatin e këtij komisioni hetimor parlamentar.
Situata
Në një kohë kur opozita nuk gjeti gjuhën e përbashkët me maxhorancën lidhur me hapjen e kutive, u detyrua të marrë vendimin e pritur në Asamble për t’iu rikthyer protestave këtë javë, duke filluar nga rrethet e vendit. Ndërsa më 30 prill do të zhvillohet protesta më e madhe në Tiranë, ku do të marrin pjesë militantë të partisë nga rrethet. Ndërsa si kundër-reagim Partia Demokratike do të organizojë një manifestim madhështor më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një ditë pas protestës së madhe të opozitës. Ky do të cilësohet si antimitingu i dytë i PD-së. I pari është organizuar më 8 dhjetor, vetëm një ditë pas organizimit të protestës madhështore të PS-së në Tiranë. Megjithëse kryeministri Berisha e ka hedhur poshtë cilësimin antimiting atë të datës 8 dhjetor, shumë mendojnë se i tillë ishte. Kjo për faktin se mbajtja e mitingut të datës 8 dhjetor u njoftua nga kreu i PD-së vetëm një ditë pas protestës treditore që organizoi PS-ja në kryeqytet përpara selisë së Kryeministrisë. Protesta e PS-së u komentua gjatë për masivizimin e saj. Madje burimet bënë të ditur se as vetë drejtuesit e Partisë Socialiste nuk e prisnin që kjo protestë të ishte kaq e madhe. Pikërisht fakti që Berisha e njoftoi mbajtjen e mitingut të PD-së një ditë pas protestës së PS-së nxiti cilësimin e tij si antimiting. Një tjetër arsye është edhe fakti që përpara datës 8 pritet që socialistët të zhvillojnë një tjetër protestë, po aq masive se e para. Burimet theksojnë se qëllimi i Berishës për të bërë miting është që t’i kthejë përgjigje Ramës në të njëjtën monedhë, duke matur forcat dhe mbështetjen me njerëz në shesh.
Projektligjet
Në vendimin e Asamblesë, PS-ja do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentit, duke mos marrë pjesë në votimin e projektligjeve më të rëndësishme që kërkojnë shumicën e votave. Opozita do të jetë në Parlament vetëm për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Disa prej projektligjeve që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar, janë: ai i Gjykatës Administrative, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i Policisë Gjyqësore. Këto drafte vazhdojnë të qëndrojnë pezull për shkak të mungesës së kartonëve në Parlament.

Baraj: “Shqipëria nuk është vend i përshtatshëm për central bërthamor”

Ngritja e një centrali bërthamor ka hasur në kundërshtimin e socialistëve. Pak ditë pas publikimit në mediat italiane të njoftimit për ndërtimin e një reaktori bërthamor në Shqipëri, deputeti Besnik Baraj akuzoi dje qeverinë për mungesë transparence. Ai shprehet se iniciativa të tilla duhet të kalojnë përmes një procesi referendumi, ndërsa radhit arsyet pse kjo ide nuk duhet vënë në jetë. Baraj shpjegoi se nga pikëpamja ligjore kjo e drejtë buron nga vetë legjislacioni shqiptar pas ratifikimit të konventës së Ahrusit vite më parë. “Ka shumë të ngjarë që po u projektua ky reaktor, do të bëhet në zonën bregdetare. Kjo do të thotë që vija jonë bregdetare të përmbajë industritë më ndotëse dhe me një rrezik më të madh përsa i përket impaktit në mjedis sikurse janë; fabrikë çimento në Lezhë, TEC-e me qymyr në Durrës etj., park industrial pas prerjes së pyllit të sodës në Vlorë dhe diku reaktori bërthamor. Shqipëria nuk është një vend favorit për një ndërtim të tillë, pasi nuk disponon kapitale financiare, nuk disponon kapacitete profesionale shkencore dhe së fundi nuk disponon kuadrin e nevojshëm ligjor”, - tha Baraj. Deputeti Baraj thotë se ngritja e një reaktori bërthamor është e pavend, në një kohë që vendi ynë ka shumë burime hidrike dhe kur po punohet për ngritjen e TEC-eve me gaz, ndërsa kërkon nga kryeministri të zbulojë arsyet e ndërtimit të një vepre të tillë. “Ne nuk jemi për zhvillim spontan të vendit. Në strategjinë e zhvillimit energjetik të miratuar pak vite më parë nuk është bërë fjalë për burime të energjisë atomike. Shqipëria ende nuk ka shteruar burimet e saja hidrike ato eolike dhe ngritjes së TEC-ve me gaz”, - tha Baraj.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›