E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi bllokon pajisjen e deputetëve të PS-së me pasaporta diplomatike



Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Socialiste, megjithëse kanë marrë mandatin nga KQZ-ja dhe kanë bërë betimin në Kuvend, ende nuk janë pajisur me pasaportë diplomatike. Kjo për faktin se Kuvendi nuk i ka dërguar ende shkresën zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme për pajisjen e deputetëve të rinj të PS-së me pasaportë diplomatike. Lajmi në fjalë bëhet i ditur për gazetën nga vetë deputetët socialistë. Ata pohojnë se kanë dërguar dokumentacionin e duhur pranë Kuvendit dhe dosja e tyre ka mëse një muaj që qëndron në zyrën e kryetares së Kuvendit. Kjo e fundit ende nuk ka marrë nismën që dokumentacionin e nevojshëm për çdo deputet të ri të opozitës ta dërgojë në Ministrinë e Jashtme. Ndërkohë që deputetët duhet të ishin pajisur me pasaportën diplomatike që në momentin kur kanë marrë mandatin e deputetit nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Po kështu, mbetet ende e paqartë situata financiare e deputetëve socialistë. Ata pohojnë se ligjërisht u takon të marrin rrogën mujore që në momentin që KQZ-ja u ka njohur mandatin, por kjo ende mbetet një çështje e pazgjidhur.
Ligji
Sipas ligjit në vend, të drejtën e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë ushtrimit të detyrës e kanë: Presidenti i Republikës, kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, kryeministri dhe ministrat, deputetët dhe sekretari i Përgjithshëm i Presidencës dhe ai i Këshillit të Ministrave. Por ligji u jep të drejtën e pajisjes me këto pasaporta edhe krerëve të disa institucioneve, si kryetarit të Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Lartë dhe drejtuesve të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Por, nga ana tjetër, të drejtën për t’u pajisur me këto pasaporta e kanë edhe bashkëshortët dhe fëmijët e Presidentit të Republikës, të kryetarit të Kuvendit Popullor, të kreut të Këshillit të Ministrave dhe anëtarëve të personelit diplomatik ose konsullor të Republikës së Shqipërisë që janë jashtë vendit. Me kryerjen e betimit në Parlament rreth një muaj më parë, deputetët socialistë, të cilët kishin gjashtë muaj që bojkotonin Parlamentin, arritën të merrnin edhe pagat e tyre, të cilat nuk u ishin dhënë më parë. Bashkë me marrjen e pagave mujore, deputetët e PS-së kanë të drejtë të përfitojnë edhe privilegjet e tjera, të cilat ua sjell statusi i tyre si të zgjedhur të qytetarëve.
Vendimi
Në vitin 2008 qeveria “Berisha” miratoi disa ndryshime në ligjin për pajisjen e zyrtarëve me pasaporta diplomatike, duke vendosur të zgjerojë listën e përfituesve që kanë të drejtë të posedojnë pasaporta diplomatike dhe pasaporta shërbimi. Kjo është bërë e mundur pas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 631, datë 23.5.2008, i cili pajis me pasaporta diplomatike dhe shërbimi edhe 13 kategori të tjera zyrtarësh në vend. Midis përfituesve spikasin edhe të gjithë kryetarët e bashkive dhe të komunave, të cilët tashmë do të kenë privilegjet e udhëtimit lirshëm në shumë vende të ndryshme të botës falë pasaportës diplomatike. Afati i vlefshmërisë së pasaportave diplomatike do të jetë deri në 5 vjet. Ai mund të zgjatet 2 herë të tjera për periudha deri në 2 vjet. Lëshimi i pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, ose zgjatja e afatit të vlefshmërisë së tyre bëhet kundrejt pagesës sipas tarifave të përcaktuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave. Këto pagesa përballohen nga organet, institucionet ose organizmat që kërkojnë lëshimin apo zgjatjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave për punonjësit e tyre.

Kush mban pasaportë diplomatike:
Presidenti i Republikës
Kryetari dhe zëvendëskryetarët e Kuvendit
Kryeministri
Zv.kryeministri dhe anëtarët e qeverisë
Deputetët e Kuvendit
Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave
Kryetari i Shërbimit të Kontrollit të Shtetit
Bashkëshortet, djemtë e mitur deri në 18 vjeç dhe vajzat të pamartuara të krerëve të lartë të shtetit.
Prokurori i Përgjithshëm
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
Kryetarët e partive politike
Kryetari i Akademisë së Shkencave
Shefave të kabinetit dhe këshilltarët e Presidentit
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Shefat e kabinetit të ministrave
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës
Ndihmësi i Presidentit të Republikës
Drejtori i Drejtorisë së Protokollit të Presidentit të Republikës
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Kryetari i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
Kryetari dhe zv.kryetari i Entit Rregullator të Telekomunikacionit
Kryetari dhe zv.kryetari i Entit Rregullator të Energjisë
Kryetari i Komisionit Kombëtar Rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura
Avokati i Prokurimeve
Përfaqësuesit e organizatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës
Inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Kryetarët e Bashkive dhe të Komunave
Drejtuesit e prokurorive të apelit

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›