E Diel, 1 Nëntor 2026

Orët e rënda të protestës, pesë të tjerë nisen në spital



Aristir Lumezi

Gjendja e grevistëve në ditën e tetë të tyre arriti dje një pikë kritike. Pesë grevistë u dërguan me urgjencë në spital për shkak të krizave dhe lëvizjeve të tensionit. Rreth orës 20:30 u dërgua në spital një 36- vjeçari Alfred Davidhi nga Fieri, i cili u transportua në spital për kurim pasi gjendja e tij ka qenë e rënduar së tepërmi ditën e djeshme për shkak se ai vuan nga hepatiti B. Gjatë paradites së djeshme, katër grevistë të tjerë ndërprenë grevën dhe u dërguan në spital duke e çuar në 12 numrin e grevistëve që lenë grevën e urisë për arsye shëndetësore, Arbër Begaj 26 vjeç nga Tirana, 24- vjeçari Salarjon Tota nga Fieri, Bledar Meco nga Fieri dhe 29- vjeçari Klodian Rira nga Përrenjasi u larguan dje me autoambulanca nga çadra e grevës së urisë. Pas tetë ditësh mungesë ushqimi, largimi në mënyrë masive i grevistëve që paraqesin komplikacione me shëndetin tregon se situata sa vjen e bëhet më alarmante. Mjekja që ndjek nga afër gjendjen e grevistëve, Alketa Hila tha dje gjatë një komunikimi për mediat se gjendja e grevistëve është rënduar. “8-9 prej tyre janë në gjendje të rëndë, por janë vetë ata që refuzojnë të shkojnë në spital. U kam sugjeruar të shkojnë në spital pasi rrezikojnë jetën, por kam hasur në mospranimin e tyre”, thekson Hila. Konkretisht rëndë konstatohet Besnik Bare, Agim Leka, Blendi Klosi. “Personat me diabet janë gjithmonë në risk në të tilla raste ndaj i kemi kërkuar Blendi Klosit të dalë nga greva, por ai nuk pranon”. Dramatike paraqitet gjendja shëndetësore e të gjithë grevistëve socialistë, sipas mjekëve që i ndjekin. Ndërsa disa nga grevistët e larguar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, premtojnë se do të kthehen serish në grevë, ashtu siç bëri dy ditë më parë Muho Demaj nga Tirana, i cili pasi u trajtua në spital për rreth 24 orë iu rikthye serish grevës së urisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›