Te “bordura”, pas 20 vjetësh!
Ilir Beqja
Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të bëja grevë urie. Tani që po shkruaj këto radhë, kanë kaluar 185 orë që jam në grevë urie ...185 orë pa ngrënë e pa lëvizur, ngujuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” midis Kuvendit dhe Kryeministrisë. Pak metra më tutje është bordura e parkut Rinia, përballë ish-hotel “Dajtit”. Si shumë bashkëmoshatarë të mitë, apo edhe shumë të reja e të rinj të rritur në Tiranë, me moshë më të madhe a më të re se e imja, kemi kaluar shumë kohë në atë bordurë. Thënë ndryshe, edhe unë jam “bordurist”. Në atë bordurë kemi folur për (anti)komunizmin, në atë bordurë kemi folur kundra regjimit komunist shqiptar, në atë bordurë kemi thënë se si duhet të jetë ndryshe Shqipëria. Në atë bordurë kemi treguar barsoleta kundër regjimit e kundra drejtueseve të lartë komunistë. Në atë bordurë jemi tallur e kemi “gjujtë”. Ajo bordurë është një nga pjesët më të bukura të jetës sime. Ajo bordurë ka qenë edhe “shkollë” e jetës sime dhe ka gjurmët e veta të pashmangshme në formimin tim dhe në jetën time. Nuk ulem më tek ajo bordurë. Por, kur kaloj përbri saj, kam të njëjtën nostalgji.
* * *
Në atë bordurë kam ndenjur me orë edhe me Adrianën (Ada), shoqen time të jetës prej 20 vjetësh. Për atë bordurë i tregojmë shpesh edhe vajzës sonë, Deborah (Debi).
Debi dhe Ada vijnë çdo mbrëmje të më shohin e sjellin teshat e lara dhe të marrin ato të palarat. çdo mbrëmje që kalon, takimi është më i shkurtër, sepse e kam më të vështirë të rri gjatë në këmbë, por edhe e ndjej që ato ikin më të pezmatuara.
Në vitet ‘80-të te bordura mendonin shumë për të ardhmen, edhe kur nuk e besonim se regjimi do të ndryshonte, edhe kur po shihej qartë se ai regjim po vdiste.
Sot jam 42 vjeç. Kam hyrë në gjysmën e dytë të jetës dhe nuk e kam më luksin të mendoj për të ardhmen time. Tani mendoj për të ardhmen e Debit. Debi është 16 vjeç. Në një situatë normale politike, Debi voton për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Por a është e drejtë që Debi të votojë për republikën e “Ruzhdijes”? Mendoj se nuk është e drejtë. Prandaj, që nga 30 prill 2010, edhe pas 20 vjetësh, fati e solli që unë të gjendem përsëri pak metra larg bordurës për të ardhmen, kësaj here jo timen, por të vajzës sime. Dhe nuk besoj se ka sot ndonjë shqiptare a shqiptar, të paktën ata që janë prindër, që shpresojnë që fëmijët e tyre të rriten e të jetojnë në republikën e “Ruzhdijes”. Besoj se çdo prind do ta bënte për fëmijën e vet këtë që po bëj unë sot.
Por, nuk e bëj vetëm për Debin dhe për bashkëmoshatarët e saj.
E bëj edhe për të sotmen. Për të sotmen e kapur peng nga Sali Berisha dhe oborri i tij familjar e politik.
Sot jam deputet dhe e bëj edhe për zgjedhësit e Shkodrës.
E bëj për komisionerët socialistë të Jubanit, që drejtësia e kapur i përndjek pse nuk pranuan të bëhen pjesë e farsës elektorale të 28 qershorit 2009
E bëj për të përmbyturit e të padëmshpërblyerit e Nënshkodrës.
E bëj për të papunët, që në Shkodër janë zyrtarisht dy herë më shumë se mesatarja në Shqipëri.
E bëj për të varfrit, që në Shkodër janë zyrtarisht dy herë më shumë se mesatarja në Shqipëri.
E bëj edhe për qytetarët e Shkodrës, sepse shqiptarët nuk duhet të vazhdojnë të besojnë se shkodranët, të majtë apo të djathtë, janë si Jozefina, shëmbëlltyra më e shëmtuar e shpirtit shkodran.
* * *
Ka më shumë se 1 vit që kundërshtarët e mi politikë merren me familjen time, merren me tim atë. Ajo që më ligështon është se im atë e kaloi gjithë jetën duke u marrë me shkollimin e edukimin e shqiptarëve, por produkti i mundit të tij, për fat të keq, janë shumë injorantë me diplomë universitare. Eksperienca jo e pakët jetësore, përfshirë edhe atë sportive, më ka bërë që t’i neglizhoj sulmet e të gjitha llojeve. Ajo që më habit është se sa shumë gojëpërdala e gojëpërdalë ka sot në lidershipin e PD-së.
Para pak ditësh, një tjetër gojëpërdalë në lidershipin e PD-së, vendosi të merret edhe me gruan time. Përveç neglizhencës së zakonshme, kësaj here kam ndjerë edhe përbuzje e neveri.
Më vjen habi, se me “librin e shtëpisë” të familjes sime merren rregullisht në emisionin “Opinion”. Kur e kam pyetur moderatorin, Blendi Fevziu, se pse ndodh kështu, më është përgjigjur se është emisioni më i shikuar në Shqipëri. Edhe Blendi Fevziu është “bordurist”. Nuk besoj se në kohën e bordurës Blendi Fevziu të ketë menduar se në 2010 do të jetonte në republikën e “Ruzhdijes”.
8 maj 2010
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, greva e urisë