"Dhe ky yll, është Ligji"
I nderuar "Shekulli"! Habitem pse keni nisur të botoni, në këtë hapësirë të nderuar, letra dhe e-maile, që marrin në mbrojtje të pambrojtshmen, një politikë mediokre, populiste dhe të padobishme, të përfaqësuar nga Berisha dhe berishët e tjerë të vegjël.
Kam disa ditë që lexoj në këtë rubrikë letra pro Berishës, ndërkohë që, letrat dhe e-mailet tona, mbeten në sirtar. Jam dakord me përgjigjen që më dha në e-mail drejtori i gazetës, që, rubrika e opinioneve është në dispozicion të të gjithëve, por çfarë mund të thuash pro Berishës, kur ky thotë: "hetim ndërkombëtar për Fazlliçin"
Mirë e ka trimi mbi trimat, Gjergj Elez Berisha. Hetim ndërkombëtar dhe ndërgalaktik do bëjmë. Unë them hetim nderkombëtar edhe për Gërdecin, edhe për Bashën, edhe për Edi Ramën, edhe për Malajn, edhe për Fatos Nanon, edhe… për të gjithë.
Do të thoni ju, po me se do të merret prokuroria? Prokuroria e përgjithshme, të merret me Bexhetin që i ka vjedhur portofolin Sadetës, me të gjithë lekët e pensionit tek stacioni i Medresesë, i linjës së Kinostudios.
Përtej shakave, doja të risillja këtu, një pjesë të asaj që u tha ambasadori amerikan prokurorëve, në takimin ku kritikoi idiotësitë e Berishës:
"Në historinë e hershme të Shteteve të Bashkuara, kur skllevërit që mbaheshin të lidhur në plantacionet e jugut, kërkonin lirinë e tyre, nuk kishin as busulla, as harta. Shumica as nuk lexonin dot. Mes tyre, dhe lirisë në veri, qëndronin këneta, lumenj, male, e shumë pengesa të tjera. Ajo që këta skllevër kishin, ishte vendosmëria e tyre për të qenë të lirë dhe një copë dije.
Kjo copë dijeje, ishte që ekzistonte një yll: Ylli Polar. Dhe, për sa kohë që ndiqnin atë yll, ishin në shtegun drejt lirisë. Të gjithë ju në këtë sallë, keni një Yll Polar. Dhe, ky yll, është Ligji. Për sa kohë që ndiqni ligjin, pavarësisht nga kritikat që merrni, pavarësisht nga presionet që ju bëhen, edhe ju, do ta arrini objektivin tuaj përfundimtar.."