E Diel, 1 Nëntor 2026

Klubeve u falet borxhi prej 870 milionë lekësh

 

Jetmir Halilaj

Klubeve shqiptare u janë falur të gjitha borxhet që i kishin FSHF-së, shuma në total e të cilave kap shifrën e 870 milionë lekëve të vjetra.
Ky vendim u mor dje në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, që u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Përgjithësisht, të gjitha ndryshimet apo sugjerimet e propozuara u morën me vendim unanim, por nuk munguan edhe debatet e kontestimet nga përfaqësues të ndryshëm klubesh. Presidenti i Dinamos, Besnik Sula dhe ai i Vllaznisë, Valter Fushaj, replikuan ashpër në lidhje me buxhetin e ri të FSHF-së, duke kërkuar më tepër mbështetje financiare për klubet. “Buxheti i vitit të ardhshëm ka një vlerë prej 3.7 milionë eurosh, që është i barasvlershëm me 4.2 miliardë lekë, – ka thënë presidenti i Dinamos. – Kjo do të thotë se ndryshe nga viti i kaluar, në buxhetin aktual ka 500 milionë lekë më shumë dhe unë nuk e kuptoj se përse këto para nuk u shpërndahen klubeve, sepse me sa po shoh, megjithëse shuma e parave është më e madhe, klubet nuk përfitojnë asgjë”. I të njëjtit mendim ka qenë edhe kreu i Vllaznisë, Valter Fushaj, i cili ka kërkuar që klubet që arrijnë të fitojnë trofe, në fund të shpërblehen me para në dorë e jo me investime. Mirëpo kontestimeve të tyre u është përgjigjur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka thënë se një pjesë e mirë e shumës prej 500 milionë lekësh do të përdoret për pagesat e gjyqtarëve, pasi klubet nuk do ta paguajnë më kuotën e mëparshme që u kërkohej gjyqtarëve. Ndërsa pjesa tjetër e parave do t’u shpërndahet klubeve në formë investimesh. Për sa i përket kërkesës së Fushajt, Duka tha se shpërblimet në formën e investimeve në fusha futbolli apo infrastrukturë janë kërkesë e UEFA-s dhe se ai vetë e mbështet fuqimisht këtë formulë. Një tjetër vendim i rëndësishëm që u mor dje në asamble ishte edhe ndryshimi i përfaqësimit të klubeve të Kategorisë Superiore. Këto të fundit nuk do të kenë më dy vota në dispozicion gjatë zgjedhjeve presidenciale të FSHF-së, por vetëm një të tillë. Çuditërisht ky propozim u miratua menjëherë, pa kontestuar askush nga përfaqësuesit e klubeve të Superiores. Ndërkaq, drejtuesit e Federatës e argumentuan këtë ndryshim me faktin se, ky ishte një udhëzim i marrë nga FIFA dhe UEFA. “Edhe Shqipëria është e barabartë me Brazilin e Gjermaninë në zgjedhjet presidenciale në FIFA apo UEFA, sepse të gjitha federatat e anëtarësuara në këto organizata, kanë vetëm nga një votë në dispozicion”, ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›