Mishel Platini: Pres që ta shoh Shqipërinë në Evropian
Presidenti i UEFA-s ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e futbollit shqiptar, por nuk ka harruar të inkurajojë drejtuesit e Federatës që të impenjohen maksimalisht për të arritur rezultate sa më të mira. Ai tha se barazimi i Shqipërisë në transfertë me Portugalinë ishte një tregues i qartë i zhvillimit të futbollit në Shqipëri. Më pas, Platini theksoi edhe njëherë se nuk do të lejojë që asnjërës nga federatat anëtare të UEFA-s t’u cenohet pavarësia nga shteti që ato përfaqësojnë. “Më në fund ia dolëm të miratojmë edhe kampionatin evropian me 24 skuadra, duke nisur nga ai i vitit 2016. Nuk do të isha aspak i befasuar nëse dhe Shqipëria do të bënte pjesë në këto finale. Ne të UEFA-s jemi shumë krenarë për demokracinë tonë. Ju deklaroj në mënyrë solemne se kam autorizimin e FIFA-s dhe UEFA-s për të mbrojtur të gjithë anëtarët tanë, nëse kërcënohen dhe janë të rrezikuara nga qeveritë”, u shpreh Platini. Një legjendë si trajneri holandez i Shqipërisë, Ari Han, i pranishëm në sallë së bashku me ndihmësin e tij, Vim Surbier, nuk ka dyshim që e sjell në humor Platininë. “Futbolli shqiptar po përmirësohet, këtë e tregoi edhe rezultati i ndeshjes së fundit në Portugali. Një ekip kombëtar shumë i mirë, që tregon nga ana tjetër edhe gjendjen e shëndetshme të një federate. Për këtë dua të falënderoj edhe trajnerin e Kombëtares suaj, të cilin e kam ndjekur që nga koha kur luante me Ajaksin. Isha i vogël dhe më bënin të ëndërroja”, ka përfunduar Platini, i cili ishte dje i pranishëm në Asamblenë e FSHF-së.