E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicioni, Berisha firmos me Lesin dhe PBKD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikoll Lesi, nënshkruan dje, marrëveshjen zgjedhore të bashkëpunimit për zgjedhjet parlamentare 2009.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njëkohësisht edhe Kryeministër i vendit, u shpreh se "kjo marrëveshje garanton bashkërendimin e të gjitha përpjekjeve për të fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe për të qeverisur mandatin e ardhshëm". Kryeministri Berisha siguroi se "kam kënaqësinë të vazhdoj bashkëpunimin me kreun e LDK-së, Nikoll Lesi, drejt një mandati të dytë qeverisës, pavarësisht nga dallimet dhe diferencat tona". Kryeministri shtoi se është e rëndësishme që asnjëherë ai nuk i bashkoi votat me kundërshtarin për shkak të mendimit ndryshe. "Lesi ka qenë me mazhorancën e djathtë në të gjitha rastet e duhura, prandaj e siguroj se do të qeverisim së bashku", tha Berisha. Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikoll Lesi, tha se "e firmosa këtë marrëveshje me liderin e mazhorancës, Sali Berisha, i bindur jo vetëm në sukseset e qeverisjes 4-vjeçare, por edhe në fitoren absolute të 28 qershorit dhe brenda koalicionit ne nuk do të kemi nevojë për votat e segmenteve të tjera politike". Lesi theksoi se "në qoftë se zëri im ndonjëherë ka qenë indipendent, ka qenë brenda një mazhorance demokratike, ku secili ka të drejtën e tij të mendimit". Kreu i LDK-së u shpreh se kërkon tre deputetë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kryeministri Berisha firmosi marrëveshjen paraelektorale edhe me kreun e partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshin, duke i premtuar se do të qeverisin së bashku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›