Berisha, ministrave: Ditën fushatë, natën mbledhje
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, urdhëroi ministrat e kabinetit të tij të mos mungojnë në mbledhjet e qeverisë, që do të zhvillohen edhe gjatë kohës së fushatës elektorale. "Fushata nuk do ta pengojë punën e qeverisë", tha dje Kryeministri Berisha. Gjatë mbledhjes kanë qenë gjithsej 42 vendime qeverie, për të cilat Kryeministri u shpreh se "qeveria ka kapacitet të plotë pune". Një pjesë e ministrave i janë bindur urdhrit të Kryeministrit për të qenë prezent gjatë mbledhjes së qeverisë, duke u kthyer nga fushata paraelektorale që kanë nisur në rrethe. Ministrat Sokol Olldashi, Ridvan Bode, Lufter Xhuveli, Anila Godo, kanë "lënë" fushatën për të qenë prezent në mbledhjen e këshillit të ministrave. "Gjatë kohës së fushatës elektorale, mbledhjet do të bëhen pas orës 20:00", u shpreh Kryeministri Berisha. Në mbledhjen e djeshme u vu re gjithashtu edhe mungesa e disa ministrave, të cilët zëvendësoheshin nga zëvendësministrat. Ministrat Jemin Gjana, Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Ardian Turku, Anastas Duro dhe Majlinda Bregu nuk kanë qenë prezentë në mbledhjen e djeshme, edhe pse një pjesë e atyre që munguan ishin justifikuar për shkak të axhendës së ngjeshur. Gjatë fushatës elektorale, pjesa më e madhe e ministrave janë deleguar nëpër rrethe. Zv/kryeministri ka në patronazh Qarkun e Beratit; ministri Lulzim Basha, Elbasanin; ministri Sokol Olldashi, Fierin; Ridvan Bode, Korçën; ndërsa në Qarkun e Tiranës janë vetëm dy ministra, Majlinda Bregu dhe Bujar Nishani.