E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni, PS firmos më 11 maj

Partia Socialiste do të nënshkruajë ditën e hënë koalicionin zgjedhor me tre partitë e majta, ndërsa pret vendimin e kongresit të PBDNJ-së ditën e shtunë, për të zgjeruar më tej aleancën. Përtej Gjinushit, Milos dhe Veliajt, socialistët janë optimistë se pas shumë bisedimesh edhe PBDNJ-ja do t‘i bashkohet këtij grupimi. Burimet nga partia e Dules nuk mohuan mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes me PS-në në fillimjavë, por thanë se gjithçka do ta vendosë kongresi. Drafti është gati, krerët kanë rënë dakord mes tyre për pikat e marrëveshjes dhe hedhja e firmës është akti i fundit që do të zyrtarizojë bashkëpunimin, që në rast fitoreje do të rezultojë me bashkëqeverisje. Burimet partiake bëjnë të ditur se e hëna është starti i një jave të ngjeshur me mbledhje strukturash dhe vendime të rëndësishme në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit. Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me aleatët, PS pritet të mbledhë kryesinë për të kaluar në "sitë" emrat e kandidatëve për deputetë dhe të miratojë listën përfundimtare. Puna po ecën paralelisht me përgatitjet për nënshkrimin e marrëveshjes dhe evidentimin e emrave që mund të jenë pjesë e ekipit garues. Burimet nga partitë e majta saktësojnë se marrëveshja përmban disa kritere bashkëpunimi. Palët do të bien dakord që të ngrenë një grup pune për të përgatitur një program të përbashkët elektoral. Teksa do të sqarojnë më së miri se përfaqësimi në qeverisjen e ardhshme do të bëhet në përpjesëtim të drejtë me mbështetjen që çdo parti do të arrijë në zgjedhjet e ardhshme. Veç qëndrimeve të njëjta politike, programe e bashkëqeverisje e suksesshme, dy pika të tjera shënojnë risi në këto raste. Nënshkrimi i saj i jep fund debatit se kujt prej këtyre partive do i takojë të caktojë Kryeministrin në rast se fitohen zgjedhjet, duke e deklaruar qartë se këtë të drejtë e ka PS si forca më e madhe e së majtës. Të njëjtat burime sqarojnë se partitë, pjesë e këtij koalicioni, janë të angazhuara që të mos sulmojnë njëra-tjetrën gjatë fushatës. Duke qenë se janë në koalicion, po secila do të bëjë fushatë individuale. Pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jetë edhe një kod etike, ku krerët e partive pranojnë të zhvillojnë një fushatë të qetë mes tyre. Sakaq, partitë janë duke negociuar për disa detaje të nënshkrimit të koalicionit, si emri apo slogani. Burimet thanë se ekzistojnë tri variante të ndryshme dhe përfaqësuesit e këtyre partive nuk kanë vendosur ende se cili është emri i përshtatshëm. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u ideua për fundin e kësaj jave, por deklarata e Partisë së të Drejtave të Njeriut të Vangjel Dules, se në 9 maj do të shpallë se me cilën prej dy partive të mëdha do të zgjedhë të bashkëpunojë, ka shkaktuar spostimin e aktivitetit. Nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit do të pasohet me mbledhjen e tre strukturave të larta vendimmarrëse të PS-së. Në 12 maj do të mblidhet kryesia që do të miratojë listën e kandidatëve për deputetë. Kryesia vendos të thërrasë Asamblenë Kombëtare dhe kjo e fundit Kongresin Elektoral, ku do të kalojnë listat, programi qeverisës dhe marrëveshja me aleatët.

Sipas Kodit Zgjedhor, 13 maji është afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve Zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa 18 maji afati i fundit i regjistrimit të listës së kandidatëve. Në dhjetë ditët e fundit, kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar një sërë takimesh kokë më kokë me deputetë, anëtarë kryesie, drejtues të PS-së në rrethe, duke marrë mendime për emrat e mundshëm për kandidatë. Aktualisht, në mënyrë jozyrtare është konfirmuar një pjesë e grupit parlamentar, shoqëruar me emra të rinj. Aktualisht janë qartësuar një pjesë e mirë e emrave që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në të 12 qarqet në sfidën e 28 qershorit. Dy partitë e mëdha nuk kanë zyrtarizuar ende asnjë emër kandidati për deputet, në të kundërt me partitë më të vogla, që kanë zbardhur emra duke e nisur punën në elektorat më herët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›