Rama: Reforma jonë në Policinë e Shtetit
Projekti i Edi Ramës për organizimin e forcave të rendit është krijimi i një policie të vetme që do të quhet Policia e Shtetit, çka do të shmangë përplasjet e kompetencave. Në një takim me ish-policë, kreu socialist prezantoi një tjetër pjesë të programit qeverisës për rendin dhe sigurinë publike. Rama shpalli vizionin e tij për sigurinë në vend, duke premtuar krijimin e një strukture të integruar që do të përgjigjet për hartimin e programeve që lidhen me të gjithë elementët që cenojnë sigurinë kombëtare. "Ne duam dhe do të ndërtojmë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare, e cila do të jetë përgjegjëse për përmirësimin e faktorëve të rrezikut që i kanosen sigurisë dhe do të planifikojë politikat e integruara të ndërhyrjes sipas rastit", tha Rama. Kjo strukturë, sipas tij, do të hartojë politikat për rendin dhe sigurinë publike, për shërbimin e emergjencave civile, për sigurimin dhe qarkullimin e informacionit të klasifikuar dhe për mbrojtjen e integritetit territorial", tha kryesocialisti. Duke u ndalur te forcat e rendit, elementin kyç që garanton sigurinë, kreu i PS-së garantoi se do të ketë një polici të vetme, pasi sipas tij ekzistenca e shumë të tillave ka krijuar përplasje në kompetenca. "Më lejoni të vij te pika që unë mendoj se është edhe thembra e Akilit, aty ku ne do të godasim qysh në fillim. Nuk mund më të shkojmë përpara, duke pasur 10 polici të tjera krahas Policisë së Shtetit. Paqartësi në përgjegjësi, paqartësi në kufijtë e përgjegjësive nga njëra te tjetra, të cilat krijojnë alibi nga më të çuditshmet dhe janë shtrati më i infektuar i korrupsionit, i mungesës së efektshmërisë së shtetit në raport me rendin e me sigurinë dhe i militantizmit të shtetit në funksion të partisë në pushtet", deklaroi kreu socialist. Sipas tij, nuk do ketë më 10 polici, një polici e veshur me gri, një polici e veshur me jeshile, një polici e veshur me bojëqielli, një tjetër me të verdhë, apo njerëz të punësuar me teserë partie që shpërndahen nëpër territor për të nxjerrë bukën e gojës. Në vlerësimin e kryesocialistit, rezultati i kësaj ndarjeje është që territori i Shqipërisë është tërësisht jashtë kontrollit në aspektin e pronës publike, në aspektin e pronës private, në aspektin e sigurisë publike dhe private që ka ndërkohë një kontroll që lë shumë për të dëshiruar. "Ajo që ne do të bëjmë është: një polici, Policia e Shtetit", sqaroi Rama. Një tjetër çështje ku është fokusuar kreu i PS-së ishte politizimi i strukturave të policisë. Ai vuri në dukje se qeverisja socialiste ka si synim rivlerësimin e figurës së punonjësve të policisë, duke u distancuar nga militantizmi. Dinjiteti dhe figura e punonjësit të policisë duhet të ringrihet, tha Rama, para punonjësve të liruar nga detyra. Sipas tij, çdo punonjës policie duhet të përfaqësojë denjësisht shtetin. Nuk mund të vazhdohet me diskretitimin e figurës së punonjësit të policisë, duke bërë që sa herë të ndërrohet pushteti, të militantizohet sipas ngjyrave të tij kjo strukturë shumë e rëndësishme për jetesën në siguri të qytetarëve. "Duke e kthyer policin, më të thjeshtin, në simbol të shtetit dhe duke mos toleruar më që të jetë karikatura e pushtetit", vlerësoi ai duke ju referuar misionit të strukturës. Rama premtoi se edhe Policia e Shtetit shqiptar do të ecë në një rrugë të re me ardhjen në pushtet të socialistëve, me më shumë dinjitet e më shumë siguri për shtetasit shqiptarë.