Meksi: Nuk bëjmë koalicion me të majtën
"Poli i Lirisë" ka mohuar zërat që ata pas zgjedhjeve do të bashkëpunojnë me të majtën. Sipas drejtuesit të këtij grupi, Aleksandër Meksi, "Poli i Lirisë" nuk do të bëjë asnjëherë koalicion me të majtën, pasi ata janë pjesë e qendrës. Sipas Meksit, "Poli i Lirisë" nuk ka asnjë arsye për të qenë në koalicion me një forcë politike si e majta me të cilët i ndajnë shumë gjëra në qëndrimet e tyre, si prona, puna, ekonomia e tregut etj. Për ta, tani, i vetmi shqetësim dhe obligim janë zgjedhjet e 28 qershorit që të përfaqësohen dhe të dalin sa më mirë. "Polit të Lirisë" i janë bashkuar dje edhe dy shoqata e parti të tjera. Ky grupim politik lindi pas bashkimit të LZHK-së me PDK-në dhe disa parti të vogla, të cilat nuk e gjenin më veten pranë PD-së. Në krye të ‘Polit të Lirisë‘ më parë ishte kryetari i PDK-së, Ndoka, ndërsa tani është caktuar ish-kryeministri në kohën e PD-së, Aleksandër Meksi. Pjesë e këtij grupi politik janë bërë edhe shoqata e ish-pronarëve, të cilët janë shprehur të zhgënjyer nga PD-ja dhe PR-ja pasi për 18 vjet nuk ka gjetur zgjidhje problemi i pronës. Shoqatat e ish-pronarëve në disa rrethe kryesore do të përfaqësohen të parët në listë ndërsa në Tiranë, do të jenë të dytët.