E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli ironizon Ramën nga Velipoja

Turi "Shqipëria po ndryshon" i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar në zonën e Velipojës. Pas konstatimit të ndryshimeve të shumta që zona e Velipojës ka bërë gjatë këtyre katër viteve, duke hequr paralele me Bashkinë e Tiranës, Topalli ka thënë se kryebashkiaku duhet të mësojë nga ndryshimi që ka pësuar Velipoja. "Vij këtu në Velipojë, tha Kryetarja e Kuvendit dhe shoh që është ndërtuar rrugë e re, urë e re, shkollë e re, ujësjellës i ri, rrugë të tjera të reja. Kjo është Shqipëria që po ndryshon. Kjo është Velipoja që po ndryshon. Kjo është ajo që kishim premtuar. Kjo është fjala që ne mbajmë. Vetëm në Velipojë, sikurse edhe dje në Komunën e Shëngjinit dhe ashtu si në çdo komunë tjetër të Shqipërisë, në veri apo në jug, apo në lindje dhe perëndim, ka nga 10 herë, 15 herë më shumë investime", është shprehur Topalli. Kryetarja e Kuvendit, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e reformave për një Shqipëri që po ndryshon, tha se në 28 qershor do të jetë një ditë e madhe, sepse shqiptarët do të vazhdojnë në rrugën e integrimit evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›