Koalicioni, PAD mbetet e dyzuar mes PD dhe LSI
Aleanca Demokratike shprehet e dyzuar në përcaktimin e koalicionit të ardhshëm zgjedhor ku do të bëjë pjesë. Vendimin do ta marrë asambleja kombëtare e kësaj partie, e cila do mblidhet në 28 shkurt. Gjatë një konference por shtyp, kryetari i PAD-së Ceka dhe nënkryetari i saj Arben Demeti shprehën hapësirat e kësaj partie për të hyrë në koalicion me PD ose me Polin e Tretë, ku bën pjesë LSI. “Personalisht kam menduar se Aleanca është më e favorizuar përmes një bashkëpunimi me PD-në, megjithatë i takon forumit më të lartë, Asamblesë kombëtare të vendosë për këtë”, tha Ceka. Ndërsa nënkryetari i kësaj partie, Demeti tha se në strategjinë e PAD-së “ka vetëm dy mundësi të mundshme për aleanca të PAD-së me partitë e tjera. Kemi një rrugë, bashkëpunim me Polin e tretë, ku nënkuptohet me koalicionin ‘E majta për Integrim’, ku bën pjesë LSI dhe partitë e tjera, por kemi dhe një pikë të dytë, si mundësi bashkëpunimi, ku thuhet se PAD është e hapur dhe me parti të tjera politike me synimin, që të jetë pjesë e koalicionit fitues dhe koalicionin me PD-në nuk e kemi përjashtuar”. Por ky takim i kreut të PAD-së me Kryeministrin Berisha, njëkohësisht kreu PD-së, nuk është pritur mirë nga strukturat e kësaj partie. Pak ditë më parë përmes një deklarate për shtyp, gjashtë anëtarë të forumit kombëtar drejtues të PAD-së deklaruan largimin nga kjo parti, pasi sipas tyre ky veprim i Cekës është marrë jashtë forumeve të kësaj partie. Xhevahir Ahmetliu (anëtar i asamblesë dhe kryetar i degës nr 9, Tiranë i PAD), Zydi Kroi, Aziz Babaci, Xhemal Dauti, Zoi Kote e Lulzim Lumi akuzuan sot nëpërmjet një deklarate për shtyp kreun e PAD, Neritan Ceka se: “Dënojnë veprimet e Cekës për vendimin që mori duke u rreshtuar në koalicion me PD, pa marrë mendimin e organeve drejtuese të partisë”. ”Në planin politik është e drejta e gjithkujt, që të marrë pozicionet që dëshiron vetë partia, në pranin organizativ minimalisht përpara preferencave vetjake duhet të merren mendimet e organeve drejtuese të partisë. Mesa dimë ne, një vendim i tillë nuk është marrë, janë anashkaluar strukturat partisë”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga 6 anëtarët e mësipërm. Si rrjedhojë anëtarët tashmë të larguar gjykojnë se “Presidenti i Aleancës Demokratike Neritan Ceka ka parë interesat vetjake dhe jo të partisë që drejton”. Anëtarët zbulojnë se qëndrimi i ardhshëm politik do të jetë pranë atyre forcave politike të majta, që do të mbrojnë interesat e popullit, kushtetues dhe drejtësisë. a.l