PDS: Tiranë, Duçkallari në krye të listës
Partia Demokracia Sociale do të mbledhë në 10 maj kongresin e saj elektoral, për të miratuar programin dhe listën e 140 kandidatëve. Sakaq, numri dy i kësaj partie, sekretari politik Artur Duçkallari, përveçse kandidat i parë për deputet në Qarkun e Tiranës, do të kryesojë fushatën elektorale të PDS në po këtë zonë. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, bëri të ditur dje se zyrtarizimi i koalicionit me Partinë Socialiste tanimë është një çështje teknike, e cila do të institucionalizohet në ditët në vijim. "PDS me aleatët e saj do të ketë një program të përbashkët, i cili do ta çojë koalicionin e fitores në një bashkëqeverisje të suksesshme menjëherë pas zgjedhjeve", tha ai. Milo i bëri thirrje Kryeministrit Sali Berisha të mos e shfrytëzojë shtetin për fushatën elektorale.