E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni, Rama: Meta bëri një marrëveshje të turpshme

Kryetari Edi Rama, gjatë një deklaratë për  mediat, e ka akuzuar Ilir Metën, për një marrëveshje të turpshme me Sali Berishën. “Kjo nuk është fjala ime e fundit për procesin zgjedhor, por vetëm reagimi im për qeverinë që lindi sot nga grahma më e fundit e politikës së vjetër të politikanëve në Shqipëri. Ndërkohë që përpjekja për numërimin e çdo vote opozitare vazhdon dhe jo vetëm Fieri, po mbarë populli opozitar i Shqipërisë ndjek orë pas ore, prej 6 ditësh dhe netësh zhvillimet e një beteje sy më sy të opozitës, me shpurat e ministrave dhe krimineleve të liruar nga burgjet e Sali Berishës, Ilir Meta nxitoi të bëhej paterica e Kryeministrit të rrëzuar, duke e ngritur në këmbë atë që ai vet e quante deri para 6 ditësh, qeveria e Gërdecit”-tha kreu socialist.

 Rama tha se, ndërkohë që në disa zona të vendit pritej numërimit i votave, Ilir Meta mbylli pazarin më të turpshëm të këtyre 18 viteve. “Ndërkohë që deri dje ne kishim shumë arsye të dyshonim në ndershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në vërtetësinë e rezultateve të nxjerra prej tyre, pas ngutjes së sotme të Ilir Metës, pa dalë ende rezultati përfundimtar i vetë KQZ së Sali berishës, për të shpëtuar Sali berishën me një pazar që Lufter Xhuveli nuk do të guxonte ta shihte as në ëndrrën e tij më të bukur, ne jemi të bindur se kurrë, se pa u zbardhur e vërteta e kutive të 28 qershorit, ndërgjegja demokratike e gjithë Shqipërisë nuk do të gjej kurrë qetësi dhe Partia Socialiste nuk do të ndalet përpara asgjëje”-tha më tej Rama.

Gjatë deklaratës së tij, Rama ka deklaruar se pas marrëveshje fshihet edhe të tjerë komponentë të politikës së vjetër, pa përmendur emra konktret, duke nënvizuar se kjo ishte një marrëveshje e fshehtë e bërë jo tani, por para shumë kohësh.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›