Koalicioni i Vëzhguesve, zgjedhjet do të monitorohen nga 2900 vëzhgues vendorë të pavarur
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë prezantoi dje nismën për monitorimin e zgjedhjeve nga 2900 vëzhgues në të gjithë vendin. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është një bashkim vullnetar e jopolitik për vëzhgimin e proceseve elektorale, i përbërë nga gjashtë OJF: Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Shoqata për Kulturë Demokratike, Gruaja për Veprim Global, Qendra Kombinat "Për gratë dhe fëmijët", Qendra "Mjaft" dhe KRIIK Albania, në bashkëpunim me një rrjet organizatash partnere lokale dhe me mbështetjen financiare të Komisionit për Demokraci pranë Ambasadës së SHBA-ve Tiranë dhe fondacionit “Soros”. Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, duke vlerësuar këtë iniciativë, tha se të gjashta organizatat e përfaqësuara kanë mbledhur njerëz që do të bashkërendojnë një përpjekje tejet të sofistikuar, siç është vëzhgimi ditën e zgjedhjeve. “Kjo është trupa më profesioniste dhe më mirë e bashkërenduar e vëzhguesve shqiptarë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Këto OJF dhe vëzhguesit e tyre u janë nënshtruar orëve të tëra trajnimi. Ata do të përçojnë në kohë reale raportet e tyre në Tiranë përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe do të punojnë të pavarur nga vëzhguesit ndërkombëtarë”, - u shpreh Uidhers. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë do të aktivizojë rreth 2500 vëzhgues të pavarur, të cilët do të jenë prezent në qendrat e votimit dhe rreth 400 vëzhgues do të jenë prezent në qendrat e numërimit të votave. Gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve vëzhguesit e Koalicionit do të jenë të pranishëm në qendrat e votimit në të 12-të qarqet e vendit si dhe në 66 KZAZ-të, duke mbuluar 100% të zonave urbane dhe rreth 20% të zonave rurale, duke mbuluar rreth 50% të qendrave të votimit dhe 100% vendet e numërimit të votave. Përgjatë procesit të votimit dhe atij të numërimit, i gjithë opinioni qytetar do të informohet në kohë reale për ecurinë e procesit të votimit nëpërmjet një serie konferencash për shtyp.
9 Qershor 2009