Ndoka: “PDK-ja, përcaktuese e maxhorancës së ardhshme”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi gjatë një mitingu në qytetin e Korçës, se Partia Demokristiane dhe koalicioni “Poli i lirisë” do të jenë përcaktues të maxhorancës së ardhshme. Ai theksoi se ka ardhur koha që politika t’i largohet polarizimit dhe të decentralizohet. Ndoka deklaroi se Shqipëria nuk po ndryshon, pasi ndryshimin e saj e pengojnë dy persona, liderë të partive të vjetra. “Ne gjykojmë se do të ketë një bllokadë dhe kjo bllokadë do të jetë e fortë, e qartë dhe do të vendoset nga votat e qytetarëve shqiptarë. Dy partitë e mëdha kanë vendosur që Kuvendin e Shqipërisë, nga një institucion debati, ta kthejnë në një repart ushtarak, në një garnizon ushtarak, ku të hyjnë ushtarët e tyre, të hyjnë njerëzit që votojnë në rresht dhe u bëjnë elozhe kryetarëve të tyre. Kjo situatë gjysmëdiktatoriale duhet penguar. PDK-ja dhe Poli i Lirisë do të jenë pengesa më e madhe e tyre në Kuvendin e nesërm”, - është shprehur Ndoka.
9 Qershor 2009