Koalicioni nënshkruhet nesër
Grupi Parlamentar i PDK’së, i drejtuar nga Hashim Thaçi, ka mbajtur të premten takimin e fundit para nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e institucioneve të reja me partitë e tjera.
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi ka thënë se bisedimet me partnerët e koalicionit kanë vazhduar edhe të premten, derisa ka konfirmuar se nënshkrimi i marrëveshjes për koalicion do të nënshkruhet gjatë ditës së shtunë.
“Nesër do të nënshkruhen marrëveshjet me të gjithë partnerët e koalicionit”, ka thënë Kuçi pas takimit të Grupit Parlamentar që është mbajtur në Hotel Victory.
Ky zyrtar i PDK’së nuk ka treguar se si janë ndarë resorët për partitë politike, sikurse që nuk ka treguar as emrat e atyre që do të jenë pjesë e Qeverisë.
Zëvendëskryeministri në largim, Hajredin Kuçi ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të hënën, dhe e ka lënë të hapur mundësinë që në të njëjtën ditë të votohet Presidenti dhe Qeveria.
“Ne do ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjet”, ka thënë Kuçi, kur është pyetur për mundësinë e votimit të tri institucioneve në të njëjtën ditë.
Ndryshe, Shefi i PDK’së, Hashim Thaçi gjatë ditës është nominuar nga Presidenti për formimin e Qeverisë së re. Por, pas takimit, Thaçi nuk ka folur para mediave.