E Diel, 1 Nëntor 2026

Jozefina Topalli: Presidenca shqiptare, e suksesshme - mundësi për realizimin e detyrave

26-05-2012 / Gazeta 55

Takimi i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të KiE

“Marrja e Presidencës së Këshillit të Evropës, përbën një moment historik për Shqipërinë dhe popullin shqiptar”. Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit të organizuar në Tiranë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Topalli theksoi se Shqipëria është e vetëdijshme për detyrën e vështirë, por në të njëjtën kohë përbën një mundësi për realizimin e objektivave të Këshillit të Evropës.
“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një detyrë e vështirë. E kuptojmë si një  përgjegjësi dhe një peshë të cilën duam ta ndajmë së bashku me Ju, por e shohim dhe si një oportunitet për të çuar përpara vlerat dhe principet për të cilat KE punon dhe promovon në të gjithë botën. Vlera si: liria, shpirti i demokracisë, shteti ligjor  dhe të drejtat e njeriut. Për mua, për Shqipërinë, për vendin tim, është një ditë e veçantë. Jo vetëm, sepse jemi këtu të gjithë bashkë në Tiranë, në Shqipëri, për herë të parë në një ngjarje historike është diçka e jashtëzakonshme që në 100 Vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë, Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Evropës. Paradite, duke biseduar me Presidentin e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, me të drejtë dhe në mënyrë të sinqertë më tha, ‘kush e mendonte se, Shqipëria do të merrte kryesinë e radhës të Presidencës të KE’. Edhe unë i thashë: “absolutisht asnjeri, përveç ne shqiptarëve. Kush e mendonte se, vendi që ka qenë më i izoluar në botë, vendi ku, nuk kishte liri, vendi ku s’kishte të drejta të njeriut, do të merrte Presidencën për të promovuar së bashku me të gjithë ju këto vlera kaq të jashtëzakonshme dhe universale’”, u shpreh Topalli.
Kryeparlamentarja vuri theksin tek tolerance fetare në Shqipëri, çka sipas saj përbën një model për të gjithë. Ajo nënvizoi si themelore bashkëjetesën mes vendeve në rajonin e Ballkanit. “Shqipëria, të nderuar kolegë, të dashur miq, është një model. Një model sepse në vendin tim pavarësisht nga besimet e ndryshme fetare, këtu ekziston një harmoni e jashtëzakonshme, një tolerancë shumë e veçantë për të cilën ne shqiptarët jemi shumë krenar. Unë besoj thellësisht se Shqipëria është një model, që mund të ndiqet si i tillë edhe nga vendet e tjera, për shkak se bashkëjetesa fetare, toleranca është diçka që është në genin e shqiptarëve, e trashëguar në shekuj”, tha ajo.

Haxhinasto: Prioritetet, institucionet e forta demokratike dhe pluralizmi politik
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, mori pjesë dje në punimet e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të KiE-së, i cili u mbajt për herë të parë në Tiranë. Gjatë këtij takimi, Haxhinasto paraqiti përpara parlamentarëve të vendeve anëtare të KiE-së prioritetet e kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të organizatës.
Kryediplomati shqiptar theksoi se Shqipëria ka çmuar gjithmonë rёndёsinё e veçantë tё dimensionit parlamentar tё KiE-sё nё forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e pluralizmit politik dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe shtetit të së drejtës. Veçanërisht, u vlerësua kontributi i ofruar nga Asambleja në drejtimin dhe forcimin e procesit të demokratizimit në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqipërinë. Shqipёria dhe Asambleja Parlamentare e KiE-sё, vijoi Ministri Haxhinasto, ndajnё njё histori tё gjatё bashkёpunimi tё ngushtё dhe tё suksesshёm. Prej vitesh, delegacioni parlamentar i Shqipёrisё kontribuon aktivisht nё nxitjen e dialogut ndёrparlamentar nё shtetet anëtare të KiE-së. Në përfundim të fjalës së tij, Ministri siguroi se forcimi i dialogut dhe ndërveprimit ndërmjet Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit të Ministrave, do të jetë një nga prioritetet e kryesisë sonë.
Takimi vijoi me një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh ku Haxhinasto shkëmbeu mendime me parlamentarët mbi trajtimin e tematikave të ndryshme, si respektimi i pakicave kombëtare, trajtimi i çështjes së Kosovës gjatë presidencës sonë, promovimi i rolit të bashkëjetesës fetare nën moton tonë “Të bashkuar në diversitet”, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›