E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Ende mundësi për bashkimin e partive të opozitës

Partia PS91, e drejtuar nga Petro Koçi, shprehu dje optimizëm për fitoren e së majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Edhe pse sipas saj duhen kapërcyer një sërë pengesash të prodhuara nga pazaret Rama-Berisha të vitit 2008. Petro Koçi deklaroi se fitorja bëhet edhe më e garantuar nëse rivendoset dialogu dhe realizmi në marrëdhëniet mes dy koalicioneve të majta që do garojnë në zgjedhjet e ardhshme. "PS91 kërkoi edhe në rastin e rishikimit të Kodit Elektoral një zgjidhje mirëkuptimi për formulën e përbërjes së komisioneve zgjedhore. Zgjidhja u hodh poshtë gjatë votimit në Parlament, nga marrëveshja PD-PS për ligjin për Prokurorinë", theksoi Koçi. Ai u shpreh se ka ende shanse për mirëkuptim në radhët e opozitës së majtë. Sipas tij, shansi është në procesin e propozimit dhe vendimmarrjes konkrete për përbërjen e komisioneve zgjedhore. "PS duhet ta shohë këtë moment politik nga këndvështrimi i kohezionit perspektiv e koalicionit paszgjedhor mes dy koalicioneve të majta. Ripropozojmë këtë zgjidhje në emër të fitores së zgjedhjeve", tha Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›