E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja, gati dekreti për të burgosurit

Institucioni më i lartë i shtetit shqiptar po shqyrton me kujdes propozimet për falje dënimesh të ardhura nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga individë të veçantë. Siç është zhvilluar edhe vitin e kaluar, Presidenca ka kaluar në një shoshitje të thellë të gjitha listat e ardhura për falje apo ulje dënimi. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në vitin 2008, ka dekretuar faljet apo uljet e dënimit në muajin mars, pasi i ka kaluar në sitë të gjitha propozimet e ardhura. Kjo pasi në vitet e kaluara, ishin hedhur hije dyshimi mbi këtë procedurë. Nga burime jo brenda Presidencës, bëhet e ditur se zyra juridike pranë kreut të shtetit, po punon intensivisht për shqyrtimin e të gjitha kërkesave të mbërritura në këtë institucion nga familjarët e të burgosurve. Po nga këto burime, bëhet e ditur se numri i kërkesave ka qenë i madh, ndaj dhe puna e zyrës juridike ka qenë e ngjeshur, pasi përgjegjësia për verifikimin e sjelljes së gjithsecilit është e zyrës juridike të Presidentit. Kjo zyrë po bashkëpunon me institucionin e Drejtorisë së Burgjeve, nga e cila bëhet e ditur se në muajin dhjetor, stafi i Presidentit të Republikës i ka kërkuar Drejtorisë së Burgjeve informacion për emra të veçantë. Gjithashtu, burime nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë të ditur se për çdo emër që ka ardhur nga Presidenca, ata kanë dërguar sjelljen e tij, sa është dënuar, sa është falur ndër vite, si dhe sa vjet ose muaj burg i kanë mbetur. Drejtoria e Burgjeve jep vetëm vlerësimin e tyre për sjelljen e gjithsecilit të burgosur, pasi vendimin e merr Presidenti i Republikës, i cili nëpërmjet dekretit, bën publik emrat e personave të falur. Fillimi i këtij viti pritet të jetë me fat për disa të burgosur, të cilët do të përfitojnë nga amnistia e Presidentit të Republikës. Tashmë, falja e çdo fillimviti është bërë një traditë për shtetin shqiptar. Por me zgjedhjen e Presidentit Topi në krye të shtetit, kjo traditë pësoi një ndryshim. Kreu i shtetit, në mars të vitit 2008, publikoi dekretin për faljen e disa të dënuarve dhe rezultoi se në listën me 31 emra, ishin të gjitha gra dhe vajza, të cilat ishin dënuar për krime të ndryshme, kryesisht të klasifikuara tek ato që quhen krime të lehta. Veprimi i kreut të shtetit vjet, u nxit edhe nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila i kërkoi Presidentit të Republikës të falte më shumë gra dhe minorenë, të cilët ndodheshin në burg. Këtë vit, kjo kërkesë, kreut të shtetit i është bërë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili në mënyrë të veçantë i kërkoi Presidentit të falte një grua 75-vjeçare e cila ishte dënuar për kultivim të lëndëve narkotike, ndërkohë që në shtëpinë e saj kishin mbetur vetëm dy nipërit jetimë. Por këtë vit, ende nuk bëhet e ditur nëse pjesë e listës së faljeve, nga Presidenti i Republikës do të jenë vetëm vajza e gra apo edhe burra. Në ligj, kreu i shtetit e ka të përcaktuar se cila kategori përfiton nga dekreti i faljes. Në bazë të ligjit për falje, apo ulje dënimi, mund të shpresojnë vetëm ata persona që janë dënuar për krime të lehta. Ndërsa personat që janë dënuar për vrasje, përdhunime, trafik të lëndëve narkotike, trafik klandestinësh apo qeniesh njerëzore duhet të shpresojnë apo të aplikojnë për të përfituar falje apo ulje dënimi. Kreu i shtetit, para pak kohësh, deklaroi se në lidhje me dekretin e faljes, ai do të zbatojë vetëm ligjin në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›