E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade: Qeveria shqiptare të mos qëndrojë pasive

Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, kërkoi dje emërimin urgjent nga qeveria të ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, ashtu sikurse një angazhim serioz dhe vëmendje më të madhe ndaj ngjarjeve në Kosovë e në rajon. "Partia Socialiste ndjek me vëmendje dhe shqetësim të veçantë zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe dënon aktet e përsëritura të dhunës ndaj shtetasve të Kosovës e pronës së tyre", theksoi ajo. Dade vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve të Kosovës dhe EULEX-it e KFOR-it në marrjen e masave për respektimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë atje. Teksa mbështeti këto autoritete, duke shprehur bindjen se funksionaliteti i të gjithë strukturave të EULEX-it dhe KFOR-it do të mundësojë shmangien e incidenteve të dhunës dhe do të krijojë kushtet për sundimin e ligjit dhe efektshmërinë e të gjitha institucioneve të drejtësisë e të rendit. "Ne vlerësojmë konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës si një proces që nuk njeh kthim mbrapa", u shpreh Dade. Socialistët nënvizojnë se stabiliteti dhe paqja në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në rajon nuk mund të mbahen peng i skemave dhe mendësive të vjetruara në erën e dekadës së fundit, si dhjetëvjeçari kur vendet e rajonit iu bashkëngjiten proceseve integruese, të mirëkuptimit e të bashkëpunimit rajonal. "Do të dëshironim që vizita e paralajmëruar e ministrit serb për Kosovën t‘i shërbejë qetësimit të situatës atje dhe inkurajimit të të gjithë shtetasve për të respektuar ligjin dhe autoritetet shtetërore të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian e të NATO-s", ngulmoi Dade. Minoriteti serb, shtoi ajo, duhet të ndërgjegjësohet se e ardhmja e tyre evropiane është në shtetin e tyre të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›