Tirana zyrtare: Të mos lejohet asnjë lloj dhune
Tirana zyrtare dënon dhunën që ndodhi në Mitrovicën e veriut. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë theksoi se po ndjek me vëmendje të veçantë situatën në Mitrovicë, pas incidenteve të ditëve të fundit atje. Në këtë kontekst, thuhet në deklaratë, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, është në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi. Në këtë deklaratë gjithashtu theksohet se "Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë bashkohet me apelin e institucioneve të Kosovës, drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur çdo provokim, duke qenë të bindur se Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i janë të përkushtuar, të gatshëm e të aftë të përgjigjen ndaj çfarëdo kërcënimi që mund t‘i bëhet sigurisë së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar lart bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in, njëherësh, përshëndet angazhimin e këtyre të fundit se nuk do të lejojnë asnjë lloj dhune në Kosovë dhe se do të parandalojnë çdo incident të mundshëm, duke siguruar funksionimin e institucioneve legjitime të saj, në gjithë territorin, përfshi veriun e Mitrovicës, pasi vetëm kështu garantohet ndërtimi i një Kosove demokratike e paqësore, si kusht vendimtar për stabilitetin afatgjatë në Ballkan".