Legalizimi i dokumenteve në ambasadën greke, vetëm përmes postës
Që prej ditës së djeshme, në të gjitha zyrat postare në vend, ka nisur shërbimi i legalizimit të dokumenteve në ambasadën greke në Tiranë. Ky proces kryhej më parë personalisht nga të interesuarit ose përfaqësues të tyre në një sportel të ambasadës greke. Kjo, pasi kishin lënë takim përmes një telefonate të shtrenjtë në një numër me 0900 dhe radhëve të gjata. Përfaqësuesit e Postës Shqiptare kanë njoftuar dje se ky institucion ka nisur kryerjen e këtij shërbimi pas nënshkrimit të një aktmarrëveshjeje bashkëpunimi për legalizimin e dokumenteve në ambasadën greke në Tiranë. "Shërbimi i legalizimit të dokumenteve për shtetasit shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, ka për qëllim jo vetëm lehtësimin e nevojave të qytetarëve dhe shmangien e radhëve të stërzgjatura në dyert e ambasadës, por edhe lehtësimin e punës së këtij institucioni për t‘iu përgjigjur në kohë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve", konfirmojnë përfaqësuesit zyrtarë të Postës. Sipas tyre, të gjithë të interesuarit mund të paraqiten pranë zyrave postare të rrethit ku banojnë, për të postuar dokumentet e tyre për legalizim, pa qenë nevoja të shkojnë në Tiranë për t‘i dorëzuar ato. Është shërbim që kryhet brenda 48 orëve nga momenti i postimit. Për mënyrën e aplikimit, informacion i plotë gjendet në çdo sportel të Postës Shqiptare të çdo qyteti. Tarifat e shërbimit postar janë: për qytetarët në rrethe 380 lekë, ndërsa për ata të Tiranës 240 lekë. Për çdo shtetas që është prezent në legalizimin e dokumentit kërkohet edhe një fotokopje e pasaportës së tij. Dokumenti të jetë i legalizuar më parë në MPJ në Tiranë, bashkë me pagesën e detyrimit për ambasadën greke pranë "Alfa Bank" në shumën 2500 lekë. Për shtetasit që nuk janë prezentë, përveç dokumentit që do të legalizohet, kërkohet një deklaratë përgjegjësie, që merret në autoritetet policore greke ose pranë bashkive të këtij shteti, si dhe fotokopja e pasaportës së personit të autorizuar për kryerjen e këtij shërbimi. Bëhet e ditur që nëse mungon një nga këto dokumente, ambasada greke nuk e kryen legalizimin.