Koçi: Një pjesë e opozitës, shoqatë e majtë “Delijorgji”
Kryetari i PS 91, Petro Koçi, kërkon nga opozita përdorimin e dy instrumenteve kundër mazhorancës, atë të kuorumit me 3 të 5-at për ligje të rëndësishme, si dhe drejtimin e protestave qytetare kundër korrupsionit. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë opozita tregon se është e kapur nga qeveria dhe e paaftë për të fituar zgjedhjet. “Por kjo është edhe ora e opozitës së vërtetë. Ajo nuk mund të sillet këtej e tutje si shoqatë “e majtë Delijorgji” që bën garë me shoqatën “e djathtë Fazlliç”. Pjesa e kapur e opozitës duhet të kërkojë falje për bashkatentatin me qeverinë “Fazlliç” mbi Kushtetutën. Pa këtë falje e majta e ka të vështirë të bashkohet para zgjedhjeve”, - tha Koçi. Sipas kreut të PS 91, nuk mund të rrëzohet qeveria “Fazlliç” duke bërë me të biznesin e ndarjes se shesheve mbi dhe nëntokësore të ndërtimit në Tiranë. “Opozita, përveç hartimeve, ka në dorë të përdorë dy instrumente të forta demokratike, kuorumin prej 3/5 për ligje të rëndësishme dhe udhëheqjen e veprimit të qytetarëve kundër korrupsionit”, - tha Koçi duke shtuar se “nëse ajo nuk e bën këtë, vërteton se është e kapur nga qeveria Fazlliç dhe e paaftë për të fituar zgjedhjet”. “Berisha duhet larguar tani nga pushteti, jo në qershor. Deri në qershor vendin duhet ta drejtojë një qeveri teknike pa Fazlliçë të mazhorancës dhe pa Delijorgjë të opozitës”, - përfundoi Koçi.