Ruli: Qeveria e PS-së blinte 100% energji nga Serbia
Ministri Ruli u është përgjigjur akuzave të opozitës, sipas të cilave, klanet serbe pranë qeverisë kanë uzurpuar tregun e energjisë, duke shitur energji me kosto të lartë dhe duke blerë troje në zonat industriale, duke argumentuar me fakte se çfarë është bërë me energjinë në kohën kur qeveria drejtohej nga socialistët. Opozita ka akuzuar qeverinë se energjia e importuar ka qenë vetëm nga kompanitë serbe. Por, ministri Ruli ka “pranuar” se ka ndodhur që 100 për qind e energjisë të importohet nga kompanitë serbe, por një import i tillë është bërë në kohën kur veprimet ligjore i bënte opozita e sotme, atëherë në pushtet. Ruli deklaroi në Kuvend se janë bërë importe nga kompanitë serbe për energjinë, por këto blerje janë bërë me parimin e garës dhe duke iu referuar çmimit të leverdishëm. Ndërsa akuzave të socialistëve u është kthyer duke u sjellë në Kuvend shifrat e importeve në vitet kur ata qeverisnin. “Blerjet janë bërë gjithmonë me parimin e garës dhe çmimit më të lirë të ofruar. Nuk është aspak e vërtetë se blerjet e energjisë nga kompanitë serbe janë favorizuar tri vitet e fundit. Përkundrazi, nëse do të krahasojmë shifrat e importeve në vitet e fundit, rezulton për shembull se në vitin 2003, 100% e energjisë është blerë nga kompanitë serbe, ndërsa në vitin 2006, vetëm 9% është blerë nga këto kompani, në vitin 2007 61% dhe po kaq në vitin 2008”, - deklaroi Ruli në
Kuvend. Ministri Ruli ka hedhur poshtë kështu akuzat e opozitës se Shqipëria është hapur për kompanitë serbe, duke favorizuar klane apo persona të veçantë. Duke dashur të sqarojë se bashkëpunimi me kompanitë serbe ka qenë konform rregullave, ministri Ruli ka bërë më dije se blerjet e energjisë janë bërë duke iu referuar tregut të rajonit dhe ka qenë më me leverdi për të blerë energji nga kompanitë serbe. Ndërkohë, u ka kujtuar deputetëve socialistë se edhe në kohën e tyre janë bërë blerje energjie nga kompanitë serbe. Shifrat tregojnë se energjia e blerë në vitin 2003 është importuar e gjitha nga Serbia. Ndërkohë, energjia e blerë në vitin 2006 është siguruar nga burime të tjera dhe një sasi krejt e vogël prej 9 për qind në këtë vit është importuar nga kompanitë serbe. Por, duke qenë se viti 2007 ishte një vit i thatë dhe thelloi krizën energjetike në vend, KESH-i ishte i detyruar të rriste sasinë e importit të energjisë dhe një pjesë e konsiderueshme prej 61 për qind e saj u mor nga kompanitë serbe. E njëjta situatë e mungesës së energjisë u shfaq edhe në fillimvitin 2008. Rezervat hidrike në vend nuk premtonin energji të mjaftueshme për konsumatorin, ndaj dhe sasia e importit ishte vendimtare për të garantuar furnizimin. Në këtë vit rreth 61 për qind e energjisë u importua nga kompanitë serbe dhe pjesa tjetër nga shtete të tjera të rajonit.
Energjia e importuar nga kompanitë serbe:
Në vitin 2003 100% e energjisë
Në vitin 2006 9% e energjisë
Në vitin 2007 61% e energjisë
Në vitin 2008 61% e energjisë