PS-ja përshëndet qëndrimin e Widhers
Partia Socialiste përshëndeti dje deklaratën e ambasadorit amerikan Widhers për të lejuar prokurorinë të hetojë e lirë dhe të mos jetë nën presionin e qeverisë. Kryetarja e grupit parlamentar të kësaj partie, Valentina Leskaj, tha se grupi parlamentar i PS-së shpreh mbështetjen e plotë për deklaratën e ambasadorit Amerikan z. Widhers, bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, si vijim i mbështetjes që ai si përfaqësues i shtetit amerikan, i bën demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri dhe në veçanti prokurorisë e cila është vënë rishtazi nën presionin e Qeverisë. “Shqetësimi i shprehur prej kohësh nga Partia Socialiste për tendencat uzurpuese të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura, duket se është kthyer në alarm jo vetëm për opozitën, por dhe për komunitetin ndërkombëtar që monitoron zhvillimet politike ne Shqipëri”, - tha Leskaj. Sipas saj, kjo situatë rëndohet më shumë kur edhe pas deklaratës së para dy ditëve të ambasadës amerikane që kritikon ndërhyrjen e ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm në punët e prokurorisë, pasuar nga ajo e ambasadorëve të BE-së për të njëjtën çështje, qeveria dhe Kryeministri dolën me tezën uzurpuese të ngritjes së dy komisioneve ndërkombëtare hetimi, dhe një parlamentar për prokurorinë.