E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Rama e Berisha kundër pluralizmit

16/01/2009  PS 91 forum rinor

Partia Socialiste ’91 krijoi dje forumin e saj rinor. Me iniciativë të një grupi të rinjsh mbështetës të kësaj partie, u zhvillua një takim organizator për ngritjen e forumit rinor “Socialistët e rinj”. Iniciatorët, kryesisht studentë dhe të sapodiplomuar, vendosën që në përputhje me statutin e PS 91 të ngren strukturën rinore të kësaj partie. I ftuar nga grupi nismëtar në takim mori pjesë edhe kryetari i PS 91 Petro Koçi, i cili e përshëndeti dëshirën e të rinjve për t’u bërë pjesë e projektit “për një politikë ndryshe nga Rama dhe Berisha”. “Çifti PD e vjetër e Berishës–PD e re e Ramës është kundër pluralizmit dhe sistemi i tyre konsensual i drejtësisë po përpiqet të rrezikojë të drejtat politike të qytetarëve”, - u shpreh Koçi gjatë fjalës së tij. Madje, po në këtë linjë Koçi cilësoi se “Rama, pasi vodhi PS-në, kujton se do të fusë në burg mendimin dhe alternativën ndryshe nga ramizmi”. Por, sipas tij, PS 91 është parti legjitime dhe institucionale, është pjesë e sistemit politik dhe e Parlamentit aktual. “Forumi Socialistet e rinj i sapo krijuar është dëshmia e politikës institucionale për të cilën ka nevojë Shqipëria Europiane”, - garantoi Koçi. Grupi organizator zgjodhi në krye të FRS-së studenten e Fakultetit të Drejtësisë Anjeza Topçiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›