E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Meta-Berisha pakt kundër Tiranës

16/01/2009  Projektbuxheti i Bashkisë, akuza për PD-në dhe LSI-në

“Ky është buxheti më i detajuar dhe pa dyshim më i miri buxhet që kemi detajuar kryeqytetin”

Nuk reshtin akuzat dhe kritikat mes forcave politike lidhur me projektbuxhetin i bashkisë së Tiranës. Mosmiratimi i këtij dokumenti nga këshilltarët e LSI-së dhe të PD-së në Këshillin Bashkiak solli një reagim mjaft të ashpër të kryebashkiakut Rama. Duke mos kursyer gjuhën akuzuese ndaj drejtuesve të këtyre dy partive, kreu socialist e cilësoi qëndrimin e tyre si një akt kërcënues për qytetarët e Tiranës. Sipas tij, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta nuk votuan projektbuxhetin për 2009-n për interesa politike. Për këtë arsye Rama dënoi votën, e cila nuk erdhi për defekte teknike, por për defekte politike. “Kjo javë filloi shumë trishtueshëm në Tiranë. Sali Berisha dhe Ilir Meta u kthyen kurrizin qytetarëve të Tiranës, duke lënë kryeqytetin pa buxhet për herë të parë në historinë e tij. Ata bashkuan mllefin dhe gjuhën e tyre për të hedhur poshtë këtë buxhet”, - vlerësoi Rama gjatë një konference për shty në Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu kryebashkiaku, duke mbrojtur një dokument të tillë të hartuar nga bashkia që ai drejton, vuri në dukje se “u them bashkëqytetarëve të mi pa bindje politike, tiranasve të shekullit të ri, që në këtë qytet janë lindur apo kanë ardhur për të ndërtuar një jetë më të mirë, se buxheti i vitit 2009 është buxheti më i detajuar, konsultuar me njerëzit dhe pa dyshim më i miri buxhet që kemi detajuar për Tiranën”. Për ti mëshuar më tej bindjes dhe qëndrimit të tij mbi këtë projektbuxhet, Rama nënvizoi se “buxhetin s’e rrëzuan defektet teknike, buxhetin e rrëzuan defektet politike, pra ambicia për pushtet rrëzoi buxhetin”. Sipas tij, buxheti është i qytetarëve dhe jo i politikës, i ambicieve të atyre që zgjedhin dhe jo të të zgjedhurve. Për këtë arsye kreu i Bashkisë së kryeqytetit bëri thirrje për miratimin e këtij dokumenti. “U bëj thirrje këshilltarëve të të gjitha krahëve ta votojnë këtë buxhet në të mirë të Tiranës, të ngrohjes së shkollave dhe kopshteve për shtimin e parqeve të gjelbëruara, për të mirën e njerëzve të saj”, - vlerësoi Rama. Në gjykimin e tij ky buxhet meriton të votohet për të mirën e gjithë qytetarëve të cilët përfaqëson dhe jo për synimet e përveçme të kujdo qoftë. Pak ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës rrëzoi për të dytën herë radhazi, projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Projektbuxheti u rrëzua nga votat e Këshilltarëve demokratë dhe abstenimin e këshilltarëve të LSI-së, të cilët e konsideruan atë të pamotivuar, me mangësi dhe jo të denjë për kryeqytetin. Menjëherë pas këtij votimi vërshuan kauzat dhe kundërakuzat mes palëve, duke ia faturuar përgjegjësinë njëra-tjetrës për bllokimin e këtij projektbuxheti.

17–vjetori i FRESSH

Rama: Të gjithë bashkë për të fituar zgjedhjet

Kreu socialist, Edi Rama mori pjesë dje në 17-vjetorin e krijimit të Forumit Rinor Eurosocialist. Në mesazhin e urimit për këtë përvjetor të forumit rinor, Rama falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në formimin e këtij forumi në të gjithë Shqipërinë. Njëkohësisht, kryetari i PS-së bëri thirrje për bashkim, me qëllim fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme në 28 qershor të këtij viti. “Duke ju falënderuar dhe ju uruar njëkohësisht në këtë përvjetor, unë dëshiroj po ashtu tju nxis që angazhimi juaj të shkoj duke u rritur, në një periudhë kohore që është shumë e rëndësishme për vendin tonë, që shtrihet deri në zgjedhjet e ndryshimit të madh dhe të shumë pritur për të gjithë shqiptarët, në 28 qershor të këtij viti”, vlerësoi Rama. Në këtë kontekst, Rama shtoi se “kjo është arsyeja pse ky është një përvjetor që ka një veçanti dhe kjo është edhe arsyeja pse në këtë përvjetor është e domosodoshme që ne të shikojmë horizontin e zgjedhjeve të ardhshme, si një objektiv të përbashkët, që duhet ta arrijmë në të mirë të Shqipërisë, të qytetarëve dhe qytetareve në të gjithë vendin, në qytet dhe fshat”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›