E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koçi: Socialistët mos të votojnë LSI

07/06/2005  Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka mbështetur idenë që mes partisë së tij dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duhet gjetur mënyra më e mirë e bashkëpunimit për të mos lejuar rrjedhje vote në adresë të opozitës. Pas ftesës së përsëritur të kryebashkiakut Edi Rama, për bashkëpunim mes dy forcave, dhe Koçi ka theksuar se votat e elektoratit të majtë në mazhoritar nuk duhet të shkojnë për kandidatët e LSI-së. “Është e nevojshme që të majtët, kudoqofshin, duhet të ndërgjegjësohen që më 3 korrik duhet të bashkojnë votat e tyre në mënyrë të mençur. Nuk besoj se është fjala për një bashkëpunim apo marrëveshje jo parimore midis liderëve politikë, ose më shumë është një thirrje apo apel për çdo njeri të përgjegjshëm, që të mos çojnë votat dëm në mazhoritar dhe pastaj në proporcional. Në këtë rast, nuk dua të bëj ndonjë thirrje apo qëllim të pamoralshëm, sepse është e njëjta praktikë që po ndiqet nga të dy blloqet e politikës”. Duke komentuar dhe qëndrimet kritike të kreut të PS-së, Fatos Nano, në adresë të LSI-së, Koçi shprehet se militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim duhet të zgjedhin problemin e 3 korrikut në favor të së majtës dhe jo në favor të Sali Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›