Shehu prezanton kandidatin e LZHK Elbasan
07/06/2005 Drejtori i fushatës elektorale të “Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Leka I Zogu“, Dashamir Shehu, ka udhëtuar dje drejt Elbasanit, për të prezantuar kandidatin për deputet në zonën 55, Afrim Muha. Gjatë fjalës së tij, Shehu ka ripërsëritur edhe një herë premtimet e LZHK për ngritjen e një shteti solid për shqiptarët, të ngjashëm me atë të drejtuar nga Ahmet Zogu. „Parulla jonë është: `Ne bëjmë shtet`. Ne do të ngremë atë shtet që i duhet shqiptarëve, që na duhet të gjithëve ne. Shtetin që do ta nxjerrë këtë vend nga korrupsioni dhe humnera, ku e kanë futur qeveritarët e sotëm“, tha Shehu. LZHK premton se me ardhjen e saj në pushtet do të hapë dyert e shkollave për të gjithë shqiptarët, do hapë vendet e punës për shqiptarët, do të bëjë që të njihet pasaporta e lëshuar nga shteti shqiptar në të gjitha vendet e botës, siç e ka bërë më shumë se 60 vjet më parë Ahmet Zogu. Drejtori i fushatës së “LZHK Leka I Zogu” i bëri thirrje elektoratit të votojnë kandidatët e kësaj lëvizjeje, me qëllim që këto premtime të bëhen realitet. „Ftojmë të gjithë shqipotarët që duan shtetin, duan të ardhmen për fëmijët e tyre të votojnë kandidatët e LZHK Leka I Zogu“, tha Shehu.