E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Takimi Berisha-Rama, jo një tradhti

Për kryetarin e PSV-së, Petro Koçi, po afron një vit sfidash të mëdha për vendin dhe shoqërinë shqiptare. Ai gjykon se 2010-a kërkon nga politika shqiptare të heqë dorë nga huqet e vjetra dhe primitivizmi. Një politikë e njerëzve të civilizuar dallohet nga fuqia për dialog mes të vetëshpallurve armiq të njëri-tjetrit. Sipas z. Koçi, dialogu nuk do të thotë tradhti, madje as patjetër marrëveshje, por dëshmi e një kulture evropiane në procesin politik. “Do të uroja që Viti i Ri ta bëjë të mundur komunikimin civil mes politikanëve kundërshtarë, përfshirë dhe atë mes Ramës e Berishës. Të mos komunikojnë më fshehurazi si në 2008, në monopolizimin e Kushtetutës dhe Kodit Elektoral, por hapur, në transparencë të plotë ndaj qytetarëve dhe aktorëve politikë”, - deklaroi z. Petro Koçi. Ai vuri në dukje se dialogu dhe komunikimi transparent mund të çojnë në marrëveshje të mbara e jo të prapa si ato të 2008-ës. Prandaj, - shprehet ai, - nuk e konsideroj tradhti një takim të hapur Rama-Berisha. “Qytetarët nuk kanë nevojë për politikë përtej të majtës apo të djathtës, sepse kjo është bërë realitet nga të gjitha palët, por për politikë përtej interesit personal të liderëve politikë. Kultura e re e politikëbërjes kërkon kurajo qytetare, sepse kapërcen murin e vjetër të Berlinit, mur ende i parrëzuar në terrenin tonë politik”, - theksoi z. Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›