E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Ti Edi u vë ruspën mendimeve ndryshe

Kreu i PS’91, Petro Koçi, e këshillon kryesocialistin Edi Rama që të largohet nga PS-ja e të shkojë drejt G99-ës. Kjo sipas tij, është partia e Edi Ramës. Për PS’91, G99-a mbetet një parti e krijuar nga Edi Rama, synimi kryesor i së cilës në fillimet e saj si organizatë ishte largimi i Kryeministrit Nano, marrja e partisë nga Rama dhe në këmbim, një vend në Parlament si deputet. Në një letër të hapur drejtuar Edi Ramës, mjaft i ashpër, Petro Koçi vëren se kryetari i socialistëve u vë ruspën kundërshtarëve, mendimit ndryshe, e si përfundim, edhe vetë demokracisë. Përmes kësaj letre, e cila duket se e ka fillesën nga konflikti mes kryetarit të njësisë numër 3 në Tiranë, Ilir Kokona, dhe Edi Ramës, Koçi thotë se politikisht, Rama është nip i Berishës, ndërsa vazhdon të mbetet një antisocialist, fakt që mundohet ta fshehë sepse i duhen votat e socialistëve. Më tej, në letër theksohet se Rama është rrezik për të majtën e për mendimin ndryshe. “Je gati ta lësh pa shtëpi mendimin ndryshe. Je gati ta lësh pa punë, d.m.th, pa bukë, ngaqë ka dëgjuar se zëri i ndërgjegjes mezi dëgjohet kur zorrët zënë e kërcasin. Je bërë si një personazh te “Lulëkuqet mbi mure”, ke filluar t’u hedhësh nga një krodhe buke socialistëve që të rezultojnë kundër teknologjisë tënde”, - vëren Koçi në letër. Njëkohësisht, kreu i PS’91 përmend lidhjet e tij me pushtetet informale dhe përfaqësues të krimit, duke theksuar se Rama është mirënjohës ndaj tyre. “Mirënjohja nuk është patjetër një barrë që duhet hequr qafe. Ajo është e tillë kur e meritojnë pushtetet informale dhe përfaqësues të krimit. Nuk kam dëgjuar t’u jesh shmangur mirënjohjeve të tilla. Me sa duket, pushteti i tyre mbetet shumë i fortë mbi ty dhe bashkëpunëtoret e tu. Si në rastin e gërdecarit tënd”, - shprehet Koçi.

Letra e plotë e Petro Koçit dërguar Edi Ramës

Edi,

Kam ndjekur me shqetësim aktin tënd policor kundër socialistit Ilir Kokona dhe nuk jam çuditur. E kam ditur prej kohësh se teknologjia jote është ekzakt e njëjta me atë të z. Berisha. Ti, njëlloj si ai, e urren mendimin ndryshe nga yti. Je gati ta varrosësh nën gërmadhat që i prodhon vetë. Të kujtohet si e varrose në statut mendimin ndryshe? Por, ti ke harruar që varrimi politik i mendimit ndryshe është varrimi i demokracisë. Se mendimi ndryshe është në fakt gjeneratori i lirisë. Mendimi i lirë s'mund të jetë tjetër, veç mendim ndryshe. Liria e mendimit nuk llogarit shumicë dhe pakicë. Mendimi i shumicës nuk është automatikisht mendim i drejtë. Dhe respekti për mendimin e lirë nuk ndryshon nga fakti se në ç'numra përfaqësohet ai. Shumica nuk ka kurrë të drejtë të përdorë ruspën ndaj alternativës ndryshe. Kjo ndodhte kur në pushtet qe ai ndaj të cilit ti je nip, jo vetëm biologjik, por tashmë edhe politik. Mbete antisocialist i përbetuar, megjithëse mundohesh ta fshehësh, sepse të duhen votat e socialistëve. Kurrë nuk u ke qenë mirënjohës atyre. Ke menduar se e kanë pasur për detyrë të të japin karrigen e Kryeministrit të Tiranës.

Kur ti s’ke moral të shprehësh një vlerësim politik për ish-kryetarin tënd dhe ish-kryeministrat e tu që të ngopën me buxhete, ç'mund të presin ata mijëra militantë që u rropatën, djersitën apo dhe u gjakosën në qendrat e votimit për të mbrojtur votat e demokracisë? Prandaj duhet të shkosh te partia jote, G99. E meritoni njëri-tjetrin. Ata e bënë detyrën! Luftuan Nanon dhe PS-në që të të bënin ty kryetar të madh, që ti t’i fusje në listë pastaj. Mirënjohja nuk është patjetër një barrë që duhet hequr qafe. Ajo është e tillë kur e meritojnë pushtete informale dhe përfaqësues të krimit. Nuk kam dëgjuar t’u jesh shmangur mirënjohjeve të tilla. Me sa duket, pushteti i tyre mbetet shumë i fortë mbi ty dhe bashkëpunëtoret e tu ! Si në rastin e gërdecarit tënd.

Nuk më thua, si mund të jetë teknologji e re teknologjia Berisha që përdor ti ndaj alternativës ndryshe? Ti e di që e vjetra bërtet më shumë se kushdo e çfarëdo tjetër, në emër të së resë. E bën për mbijetesë. Dihet. Atëherë ç'i duhet Shqipërisë së sotme teknologjia Berisha e përfaqësuar prej teje?

Ti dhe Berisha mbeteni armiqtë më të egër ndaj mendimit dhe alternativave ndryshe. Që të dy jeni njerëzit më të pakontrollueshëm të këtij vendi. Prandaj jeni shumë të rrezikshëm. Megjithëse të dy po bëni garë të pafund projektesh komunale. Ju, të dy mendoni se bërja e detyrës qenka dhuratë për popullin.

Që të dy mendoni se kundërshtaret tuaj, sidomos nga brenda, duhen eliminuar se ju pengojnë të kryeni me sukses punën e prodhimit të dhuratave për popullin.

Edi,

Demokracia nuk është fasadë, por konstruksion demokratik, njerëzor. Për ty mjafton të jetë fasadë. Me fasada ka filluar në fakt edhe karriera jote e tenderave. Por, fasada me të cilën ti ke mbështjellë “demokracinë” tënde nuk të lë të shohësh konstruksionin tënd, sepse nuk është transparente! I ke vënë një bojë shumë të trashë. Njerëzit tani nuk flasin më për konstruksionin e demokracisë. Mund të debatojnë vetëm për fasadën, sepse transparenca ka mbetur në arkivat e politikës së vjetër. Të kujtohet KPD-ja e famshme? “Pse duhej që gjithë populli të merrte vesh se ç'bëhej aty?”, - do thoshte politika e re. D.m.th, transparenca të nxjerrka bojën! A nuk e kupton që prandaj i duhet sistemit demokratik? Ta përsëris. Për t’i nxjerrë bojën, d.m.th, fasadën politikës së re apo të vjetër. Raporti i fundit mbi mungesën e lirisë së medias është një shuplakë për ty dhe për Berishën. Sepse që të dy doni që shtypi të eliminojë çdo mendim ndryshe nga juaji. Je kthyer në një subjekt të rrezikshëm politik.

Je gati ta lësh pa shtëpi mendimin ndryshe. Je gati ta lësh pa punë, d.m.th pa bukë. Ngaqë ka dëgjuar se zëri i ndërgjegjes mezi dëgjohet kur zorrët zënë e kërcasin. Je bërë si një personazh te “Lulëkuqet mbi murre”, ke filluar t’u hedhësh nga një krodhe bukë socialistëve që të rezultojnë kundër teknologjisë tënde. Mos e përdor më të ardhmen si alibi për të mbuluar teknologjinë tënde të stërvjetër. Korrupsioni me të ardhmen është krim me pasoja të rënda!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›